Publikohet plani i Sheshelit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova (DOKUMENT)

24.05.2017 (komentet: 0)

 

 

Plani i Sheshelit, i hartuar me 23 shkurt 1991 në Kragujevc, nuk bën thirrje vetëm për dëbimin e 360 mijë shqiptarëve të Kosovës që thuhej se kishin emigruar nga Shqipëria, si dhe dëbimin e pasardhësve të tyre, por edhe propozonte hapa konkretë: kosovarët duhej të flakeshin nga puna, të dëboheshin nga shtëpitë, dhe të dëmshpërblenin Serbinë për 50 vite për larjen e qirasë...

 

Prej Çubrilloviçit e deri te Ivo Andriç, në traditën politike serbe ideja për dëbimin e shqiptarëve ka qenë tepër e natyrshme. Në këtë dritë, edhe partitë politike fare lehtë e trupëzonin brenda programeve të tyre.

 

Kjo shembullohet më së miri me programin e Partisë Radikale Serbe të Vojsllav Sheshelit në vitet ’90, e cila ishte në koalicion me partinë e Sllobodan Millosheviçit, shkruan Konica.al.

Plani i Sheshelit, i hartuar me 23 shkurt 1991 në Kragujevc, nuk bën thirrje vetëm për dëbimin e 360 mijë shqiptarëve të Kosovës që thuhej se kishin emigruar nga Shqipëria, si dhe dëbimin e pasardhësve të tyre, por edhe propozonte hapa konkretë: kosovarët duhej të flakeshin nga puna, të dëboheshin nga shtëpitë, dhe të dëmshpërblenin Serbinë për 50 vite për larjen e qirasë, etj.

Ky program dallon prej atij të Vuk Drashkoviçit dhe lobit serbo-amerikan vetëm në shpërfilljen e ndërlikimeve që do të sillte dëbimi masiv.
Sipas një studiuesi të huaj ‘gjuha dhe hapat sadistë që duhej të ndërmerreshin ishin reminishencë e programit ustash drejtuar ndaj hebrenjve kroatë të shestuar nga ministri i Brendshëm, Andrije Arukoviç.

Portali Konica.al sjell për herë të parë një pjesë të programit të partisë së Vojsllav Sheshelit, i cili sot e gjithë ditën endet i lirë në Beograd.

Pika 25 e programit të Partisë Radikale Serbe në vitin 1991 bën thirrje për këto masa:

Shtypja e kryengritjes separatiste shqiptare në Kosovë dhe Metohi me të gjitha mjetet e mundshme, dhe për ta bërë përkeqësimin e kësaj kryengritje të pamundur, ne jemi të shtrënguar për zbatimin e menjëhershëm të masave në vijim:

të përjashtojmë me efektshmëri çdo etablim të çfarëdo autonomie politike territoriale në Kosovë dhe Metohi,
të dëbojmë pa humbur kohë 360 mijë emigrantë shqiptarë dhe pasardhësit e tyre, të parandalojmë çdo financim shtetëror për pakicën nacionale shqiptare, dhe t’i ndërrojmë kahjet e këtyre fondeve, për financimin ekskluziv të kthimit të serbëve në Kosovë dhe Metohi; të shpallet gjendje lufte në Kosovë dhe Metohi dhe të instituohet një qeverisje ushtarake për jo më pak se 10 vjet, të mbyllen menjëherë agjencitë lokale të autoritetit civil dhe institucionet e financuara nga buxheti i shtetit, që veprojnë në gjuhën shqipe, si Universiteti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve, librat dhe botuesit e gazetave, të mbyllen menjëherë të gjitha fabrikat dhe njësitë e tjera prodhuese, që veprojnë në mënyrë joekonomike për shkak të sabotimit sistematik të shqiptarëve të punësuar, të ndahen pasaporta emigrimi për të gjithë shqiptarët (në tekst përdoret termi pejorativ ‘Šiptari’ – shën. Konica.al), që shprehin një dëshirë të tillë, siç ndodh që Shqipëria është një shtet vazhdimisht armiqësor ndaj Serbisë, një brez prej 20 deri në 50 km përgjatë kufirit me Shqipërinë, duhet të shpallet si hapësirë me rëndësi strategjike për shtetin tonë, dhe të gjithë pjesëtarët e pakicës nacionale shqiptare duhet të largohen prej tij, me një shpagim të drejtë financiar, të gjithë shqiptarëve me shtetësi serbe dhe që banojnë jashtë, që veprojnë nga pozicione separatiste, duhet menjëherë t’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi, të gjitha përfitimet sociale për shqiptarët, veçmas ato që nxisin shkallën e lartë të lindshmërisë, duhet të ndalohen menjëherë mbledhja me forcë e të hyrave komunale duhet të bëhet pa vonesë, dhe të gjithë qiraxhinjtë që jetojnë në banesa të shtetit, duhet të largohen, të gjitha pronat e serbëve të Kosovës dhe Metohisë, të cilat ishin zaptuar nga fashistët ose gjatë regjimit komunist titist, do të kthehen menjëherë të pronarët e tyre legjitimë ose trashëgimtarët, të mos mbahen kurrfarë zgjedhje parlamentare në këtë territor derisa struktura etnike e popullatës të kthehet si në gjendjen e prillit të vitit 1941, të gjitha akademitë ushtarake dhe politike si dhe institucionet ushtarake që nuk janë të lidhura drejtpërdrejtë me komandën e distrikteve individuale ushtarake, si dhe krejt vargu i institucioneve të tjera shtetërore, duhet të rishpërndahen në territorin e Kosovës dhe Metohisë, përderisa ne do të sigurojmë kushtet për rivendosjen e disa mijëra oficerëve, policëve, shërbyesve civilë, familjeve të tyre si dhe krejt infrastrukturës shoqëruese. Të gjithë serbëve që duan të jetojnë në këtë territor, duhet t’u jepen të drejta pronësore mbi tokën bujqësore dhe toka që të ndërtojnë shtëpitë e tyre dhe gjithë hapësirat e tjera industriale. Për të gjithë ata që i zhvendosin bizneset dhe njësitë prodhuese në këto toka, dhe punësojnë jo më pak se 10 punëtorë, ne do të sigurojmë përfitime kruciale si dhe lirim nga të gjitha taksat për jo më pak se 10 vjet, të gjithë punonjësve që kanë vende pune në Kosovë dhe Metohi duhet t’u garantohen paga mesatare, dyfish më të larta sesa pagat mesatare në pjesë të tjera të Serbisë, oficerëve të pensionuar, oficerëve të rangjeve të ulta, policëve dhe shërbyesve civilë duhet t’u ofrohen banesa me hapësirë në territorin e Kosovës dhe Metohisë, si zgjidhje afatgjatë e problemeve të tyre, kushtet për të studiuar në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhet të bëhen sa ma të favorshme që të jetë e mundur
./ KultPlus.com

Kthehu mbrapa

Shto koment