Prokuroria Kërkon 28 Vjet për Sheshelin

08.03.2012 (komentet: 0)

Në argumentet e saj mbyllëse, prokuroria e ICTY-s ka kërkuar 28 vjet burgim për Vojisllav Sheshelin, duke thënë se është vërtetuar se është fajtor për krime lufte në ish-Jugosllavi.

Vojisllav Shesheli gjatë gjykimit në Tribunalin e Hagës | Foto: ICTYVojisllav Shesheli gjatë gjykimit 

“Kërkojmë që Trupi Gjykues ta shpallë të akuzuarin fajtor për të gjitha nëntë akuzat në aktpadi, duke qenë se është vërtetuar se është fajtor për krime serioze, si në qëllimin e tyre dhe në natyrën e tyre rrëqethëse”, tha Mathias Marcussen, kryeprokuror i gjyqit. 

“Shesheli nuk ka treguar asnjë shenjë pendimi”, shtoi Marcussen.

ICTY ngriti akuzat kundër Vojisllav Sheshelit, liderit të Partisë Radikale Serbe, në vitin 2003, për persekutime në baza politike, racore dhe fetare, për dëbim dhe akte çnjerëzore si dhe për thyerje të rregullave të luftës gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi nga viti 1991 deri më 1993. 

Sipas aktpadisë, Shesheli planifikoi dhe urdhëroi spastrimin etnik të popullatës joserbe nga pjesë të Kroacisë lindore, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe provincës serbe të Vojvodinës. 

Shesheli, i cili njihej për oratorinë dhe retorikën e tij ekstreme, akuzohet se ka mobilizuar jo vetëm palën e armatosur të Partisë së tij Radikale Serbe, por edhe forca të tjera serbe, duke i nxitur të persekutojnë kroatët dhe boshnjakët. 

Grupi paramilitar i tij, “Sheshelevci”, i formuar nga vullnetarë serbë, akuzohet se kanë dëbuar dhjetëra  mijëra joserbë. Thuhet se kanë vrarë të paktën 905 kroatë dhe boshnjakë, se kanë torturuar dhe përdhunuar një numër civilësh, dhe kanë shkatërruar si fshatra, ashtu dhe monumente katolike dhe myslimane. 

Gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi, Shesheli bashkëpunoi ngushtë me liderët politikë serbë, si Sllobodan Millosheviq dhe Radovan Karaxhiq, si the kriminalin e njohur të luftës, Zhelko Razhnatoviq “Arkan”.

Shesheli u dorëzua vullnetarisht në ICTY në vitin 2003, por gjyqi i tij filloi në vitin 2007, pas disa përpjekjeve të dështuara dhe një grevë urie nga i akuzuari.

Shesheli i cili po vetëmbrohet, do të prezantojë argumentet e tij mbyllëse midis datave 12 dhe 15 mars. Ky rast ka qenë një ndër më të gjatët në historinë e ICTY-s. Procedurat ligjore kanë zgjatur për 9 vjet deri më tani

Kthehu mbrapa

Shto koment