Përkujtohet 80-vjetori i vrasjes së Hasan Prishtinës në Selanik

13.08.2013 (komentet: 0)

Nën organizim të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedoni dhe Mehmet Prishtina, sot për herë të parë në Selanik të Greqisë, u shënua 80 vjetori i vrasjes së atdhetarit të shquar shqiptar Hasan Prishtina. Fillimisht delegacioni bëri vizitë në oborrin e shtëpisë së Hasan Prishtinës në rrugën “Vasiliki Orgas” të Selanikut.

 

Në këtë delegacion morën pjesë përfaqësuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë, Universitetit të Kosovës “Hasan Prishtina”, Universitetit Shtetëror të Tetovës, UEJL-së dhe Komunës së Çairit.

Skender Asani, kryetar i SHHSHM-së, tha se, “kryengritja e përgjithshme e vitit 1912 ishte ngjarje e veçantë, sepse ishte me artikulim të qartë politik që deri atëherë nuk kishte ndodhur me kryengritjet e mëparshme. Vitet 1912-1933 janë vite kur Hasan Prishtina zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike, diplomatike dhe arsimore kombëtare në mbarë hapësirën shqiptare dhe jashtë saj”.

image

Rektori i Universitetit të Kosovës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, paraqiti një rezyme të shkurtër historike për figurën madhore të Hasan Prishtinës, duke theksuar se ai ishte figurë eminente dhe qendrore e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. “Vizioni politik i Hasan Prishtinës nuk është vrarë asnjëherë dhe nuk është përmbushur ende”, theksoi Gashi.

Blerim Reka, prorektor i UEJL-së, u shpreh se, “vetë fakti se sot në Selanik para shtëpisë së tij u tubuan shqiptarët nga të gjitha trojet, dëshmon se ideja dhe filozofia e tij politike nuk është vrarë, por i mbijetoi tetë dekadave. Ai do të mbetet ideolog i gjeopolitikës unifikuese shqiptare jo vetëm në teori por edhe në praktikë. Vetë fakti se ai edhe praktikisht punoi për dekada të tëra në jetësimin e idesë për bashkim kombëtar, dëshmon më së miri se pavarësimi i Shqipërisë më 28 nëntor në Vlorë nuk qe e rastësishme, por rrjedhojë logjike e kontributit shtetkrijues të Hasan Prishinës”, shtoi Reka.

Më tej, për figurën markante të atdhetarit Hasan Prishtina, folën edhe përfaqësuesi i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Nebi Dervishi, dhe dekani i Fakultetit Filozofik të UP-së, Bujar Dugolli.

Më pas, delegacioni vizitoi pikërisht vendin ku është vrarë Hasan Prishtina, sot e 80 vjet më parë, në rrugën “Tsimiski” të Selanikut, nga dora e Ibrahim Çelos. Ata në shenjë nderimi të atdhetarit Hasan Prishtina, vunë kurora lulesh dhe bënë homazhe./SHENJA/

Kthehu mbrapa

Shto koment