Zëvendëskancelari Spindelegger, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, i shprehu Kryeministrit Berisha urimet për 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e quajtur atë një jubile të madh për vendin. Në këtë kontekst, Spindelegger premtoi se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen në Shqipëri për t`u ekspozuar për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve.

Spindelegger garantoi gjithashtu se Austria do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtjeshme drejt integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.

Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht zëvendëskancelarin Spindelegger për të dy lajmet e mira; të ekspozimit në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe për përfaqësimin e Austrisë në festimet e këtij jubile, përmes autoriteteve më të larta.

Kryeministri, duke sjellë në vëmendje, me vlerësimin më të lartë, kontributin e jashtëzakonshëm të Austrisë e kombit mik austriak në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë në atë periudhë kritike për fatet e kombit dhe pavarësisë së Shqipërisë, tha se shqiptarët ndihen shumë të lumtur dhe mirëpresin me kënaqësi të veçantë lajmin që autoritetet e larta të Austrise mike do të na nderojnë me pjesëmarrjen në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.

Në memorien e kombit, u shpreh Kryeministri Berisha, kontributi i Ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përhere në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen e vazhdueshme të Austrise, gjatë gjithë kësaj periudhe, për mbështetjen për statusin e vendit kandidat dhe ecjen përpara me integrimin.

Një falënderim të veçantë, Berisha i bëri Zëvendëskancelarit austriak për projektet e suksesshme të bashkëpunimit midis të dy vendeve që po implementohen në Shqipëri, si ai në fushën e regjistrit elektronik të pronave dhe projekte të tjera, por edhe vlerësimin për suksesin e investitorëve të rëndësishëm austriakë në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare si ai i prodhimit të energjisë hidrike etj.

Në mbyllje të takimit, Kryeministri Berisha e ftoi përzemërsisht atë në Shqipëri, raporton rtk.
Spindelegger, duke e pritur me kënaqësi ftesën, i shprehu edhe një herë Kryeministrit, përgëzimet për arritjet e mëdha të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe.