PE heton shpenzimin e 3 miliardë eurove në Kosovë

28.06.2012 (komentet: 0)

Parlamenti Evropian hedh hijen e dyshimit lidhur me shpërdorime masive të fondeve ndërkombëtare për Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Aeroportin e Prishtinës, shkruan gazeta “La Repubblica”.

 

Nga Strasburgu sapo është caktuar një fond prej 111 milionë eurosh për 3 mijë personat e angazhuar në kuadër të EULEX-it në Kosovë.

Ky fond do të shërbejë për shtyrjen edhe për një vit të mandatit të këtij organizmi, që u ka kushtuar në katër vjet taksapaguesve evropianë më se 500 milionë euro.

Ndërkohë, Prokuroria evropiane e Kosovës ende nuk po arrin të zgjidhë ”enigmën” e shpërdorimit të fondeve evropiane, të destinuara për Kosovën, që i ishin dhënë UNMIK-ut nga viti 2000 deri më 2008-ën për të përgatitur kalimin e pushteteve.

Fjala është për 11 dosje lidhur me hetimin se ku kanë shkuar 3 miliardë euro financime për rindërtimin e Kosovës drejt një shteti të pavarur.

Eurodeputeti socialist Pino Arlacchi, i njohur në krijimin e Drejtorisë Hetimore Anti-Mafia në Itali në vitet ’90 dhe anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka kërkuar të sqarohet qëndrimi i Komisionit Evropian lidhur me probleme të shpërdorimit të fondeve të përdorura në aeroportin e Prishtinës dhe shoqërinë e energjisë elektrike të Kosovës.

Këto dy subjekte kanë qenë përfituesit kryesorë të 3 miliardë eurove fonde ndërkombëtare, që u dhanë nga donatorët në arkat e UNMIK-ut.

Dy të tretat e këtij fondi u dhanë vetëm nga BE, pavarësisht nga paralajmërimet për rrezikun e mashtrimeve që bënë, si Gjykata Evropiane e Llogarive, ashtu edhe disa auditues të pavarur.

Si aeroporti, ashtu edhe korporata elektro-energjetike u vendosën nën komisariatin e UNMIK-ut, ashtu si dhe të gjitha entet e dikurshme shtetërore të epokës komuniste.

Sipas tij, EULEX po pengon dhënien e një informacioni të plotë, sidomos lidhur me Korporatën. Një kërkesë që i ishte dorëzuar Olli Rehnit, komisioner për Zgjerimin në vitin 2008, nga parlamenti evropian për sqarime, nuk mori nga ky i fundit përgjigje deri në përfundimin e mandatit të tij.

Sipas ish-kryeprokurores së UNMIK-ut Annunziata Ciaravolo, dosjet janë transferuar pranë gjykatave kosovare, në përputhje me marrëveshjen midis UNMIK-ut dhe EULEX-it. /Shqiptarja.com/

Kthehu mbrapa

Shto koment