“PDK-së më Shumë i Duhet Jakupi se Bajram Rexhepi”

26.12.2012 (komentet: 0)

Sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi, ka mohuar, të mërkurën, se ka thënë se do të formojë parti të re, porse ka shtuar se “gjithçka varet nga parimet dhe interesi i qytetarëve të Kosovës”. Derisa ministri Bajram Rexhepi thotë se largimi i Krasniqit nuk do ta dëmtonte partinë, kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, nga e ka bazën edhe Krasniqi, thotë se PDK-së, më shumë i duhet Jakup Krasniqi sesa Bajram Rexhepi.

Jakup Krasniqi | Foto: Donjetë Hoxha

Jakup Krasniqi | Foto: Donjetë Hoxha

 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka mohuar të ketë thënë se do të formojë parti të re, porse ka shtuar se “gjithçka varet nga parimet dhe interesi i qytetarëve të Kosovës”.

“Unë nuk kam thënë që do të krijoj parti të re… Dhe kurrgjë nuk ka të bëjë me përplasje dhe inate personale, gjithçka varet nga parimet dhe interesi i qytetarëve të Kosovës dhe i të ardhmes së jetës edhe politike edhe publike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi, në konferencën për media, të fundit për këtë vit, me ç’rast ka shpalosur punën e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, mundësia e largimit të numrit dy të PDK-së, ka nxitur reagime pro e kontra të zyrtarëve të tjerë të partisë më të madhe në vend.

“Sigurisht që nuk e mohoj opsionin, se opsionet janë të shumta. Unë kisha dëshiruar opsionin që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Nuk e kam formësuar idenë e plotë në këtë drejtim, shumë do të varet nga zhvillimet”, ka deklaruar Krasniqi, në një intervistë, një ditë më herët për Radiotelevizionin 21, i pyetur për mundësinë e krijimit të një partie të re.

Bajram Rexhepi, njëri nga pesë nënkryetarët e PDK-së, ka deklaruar se largimi eventual i Krasniqit nuk “e dëmton hiq Partinë Demokratike”.

“PDK-ja është e hapur edhe për prurje edhe për shkuarje”, ka deklaruar Rexhepi, për gazetën “Kosova Sot”.

Këta dy kishin pasur një përplasje publike edhe në muajin tetor. Kryeparlamentari Krasniqi e kishte bërë përgjegjës ministrin e Brendshëm për “rrethim të Parlamentit” me policë. Krasniqi ia ndërpreu fjalën Rexhepit kur ai filloi të thoshte se “kryetari i Kuvendit e ka keqpërdorur pozitën e tij…”.

Në shenjë proteste, Rexhepi e lëshoi seancën, duke u përcjell me një “Udha e mbarë të qoftë” nga kreu i Kuvendit. “Kështu e keni kur sillni ministra rrugaçë”, kishte komentuar Krasniqi. Ai madje kërkoi dorëheqjen e Rexhepi për shkak të veprimeve të policisë. Më vonë gjatë ditës, Rexhepi në një konferencë për gazetarë, e akuzoi Krasniqin se është afruar me opozitën dhe se “është i vonë në UÇK”.

Nexhat Demaku, kryetari i Komunës së Drenasit, njëherësh anëtar i Këshillit Qendror të PDK-së, e ka kritikuar deklaratën e ministrit Rexhepi.

“Askush nuk mundet me u ndi aq komod, e sidomos Bajram Rexhepi me i thanë Jakup Krasniqit dil nga partia. Më shumë i duhet Jakupi Partisë Demokratike të Kosovës sesa Bajram Rexhepi”, është shprehur Demaku, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kthehu mbrapa

Shto koment