Pas Sheshelit lirohet edhe Llazareviq

16.11.2014 (komentet: 0)

Pas lirimit të Sheshelit, së shpejti, për arsye të njëjta shëndetësore nga burgu i Hagës pritet të lirohet edhe gjenerali Vladimir Llazareviq, komandanti ushtarak i Korpusit të Pestë të Prishtinës i dënuar në shkurt të vitit 2009 me 15 vjet burgim për krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë në vitet 1998 – 1999.

 

Anëtarët e familjes së tij në Nish së bashku me avokatët dhe organet shtetërore serbe janë afër që të bindin Tribunalin e Hagës që Llazareviq sa më shpejt të dalë në liri, shkruan “Politika” e Beogradit.

Janë dy arsye që ditëve të fundit kanë shtuar angazhimet për lirimin e gjeneralit serb: gjendja shëndetësore është keqësuar dukshëm në kohë të fundit andaj mbrojtësit besojnë se lirimi i tij është i pritshëm duke marrë parakusht edhe atë se tashmë po afrohet koha kur po afrohet afati kur Llazareviq ka të drejtë të lirohet me kusht.

Shëndeti i komandantit të operacioneve ushtarake serbe në Kosovë në vitin 1999 është përkeqësuar tash e sa vite, për ç’arsye gjatë tre muajve të fundit disa herë është mbajtur nën përkujdesje të përhershme të mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor në Sheveningen.

Gjenerali i ushtrisë serbe në Kosovë është shpallur fajtor për “veprim kriminal të dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve në territorin e Kosovës, në favor të serbëve”.

Në arsyetimin e aktgjykimit ai është gjetur fajtor sipas përgjegjësisë komanduese sepse para dhe gjatë konfliktit në vitet e nëntëdhjeta ishte komandant i Korpusit të Prishtinës e më pas edhe komandant i  Armatës së Tretë të Ushtrisë, në kuadër të së cilës ishte edhe Korpusi i Prishtinës.

Aktakuza ishte shpallur në shtator të vitit 2003 kur Serbia u përball me një presion të madh ndërkombëtar për të dorëzuar të akuzuarit në Gjykatën Ndërkombëtare.

Llazareviqi ishte i pari ushtarak i rangut të lartë që vendosi të dorëzohet, një vit e gjysmë pas shpalljes së aktakuzës ndaj tij, në shkurt të 2005-s.

Në fillim të këtij viti Tribunali i Hagës vendosi që dënimi prej 15 vitesh burg t’i zvogëlohej në 14 vjet.

Mbrojtësit e tij besojnë se atij tashmë i takon e drejta që, pasi të mbajë dy të tretat e burgut të  lirohet me kusht që, thonë ata, i bie këto muaj, deri kah fundi i vitit.

Megjithatë në Tribunal thonë se kjo nuk mund të ndodhë para shtatorit të vitit të ardhshëm. Për këtë Llazareviq ka gjasë që të transferohet në burg tjetër të ndonjë anëtari i BE-së, sigurisht në Poloni.

Mediat serbe edhe këtu gjejnë një “diskriminim” të  serbëve sepse, sipas “Politika”, Llazareviqit nuk po i njihet paraburgimi që kishte mbajtur ashtu si i ishte njohur, për shembull, gjeneralit kroat Tihomir Bllashkiq, i cili ishte liruar me kush për t;u shëruar në vendlindje.

Sidoqoftë gjenerali Llazareviq, si i paraburgosur në Hagë disa herë ka qëndruar në Beograd për tu shëruar dhe qëndrimi i tij më i gjatë në Spitalin ushtarak në Beograd ishte prej 25 majit deri më 7 gusht 2009, kohë kjo të cilën kërkojnë t;ia llogarisin si paraburgim. 

Anëtarët e familjes Llzareviq, gjeneralit që ka komanduar ushtrinë serbe gjato operacioneve kriminale më 1999 në Kosovë, së bashku me avokatët dhe organet shtetërore serbe, janë afër që të bindin Tribunalin e Hagës që Llazareviq sa më shpejt të dalë në liri, shkruan “Politika” e Beogradit./Zëri/

Kthehu mbrapa

Shto koment