Pas paralajmërimit amerikan plas bomba në duart e Ramës, deputeti socialist përleshje me thika dhe armë, dilemat për fatin e 18 deputetëve të tjerë pas konfliktit të Laçit

06.09.2015 (komentet: 0)

Pas paralajmërimeve dhe ultimatumeve të njëpasnjëshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndarjen e Parlamentit Shqiptar nga bota e krimit, më në fund, në duart e kryeministrit Edi Rama ka plasur bomba. Rezistenca e sëmurë e kryeministrit shqiptar, për t’u distancuar në kohë nga deputetët në grupin parlamentar socialist, të skeduar nga SHBA-BE si elementë me të shkuar të dyshimtë, nuk mund të prodhojë gjë tjetër, veçse kasaphanë dhe dhunë. Dhuna e djeshme në kufijtë e kasaphanës në Laç, ku protagonist ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga, ishte një ngjarje e paralajmëruar.

Deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, ku e cilësoi të turpshëm dhe fyes faktin se, në Parlamentin Shqiptar ka deputetë të dënuar dhe me emra të shumëfishtë, dje ka marrë një kuptim, peshë dhe dimension tjetër. Turpi ka mbuluar dje përfundimisht fytyrën e shtetit shqiptar. Vendimi i kryeministrit Edi Rama, për t’u distancuar më në fund nga deputeti socialist, nuk e lan aspak blozën e krimit nga fytyra e qeverisë. Ndërkaq, pas bombës së djeshme, tashmë sytë janë kthyer tek fati i 18 deputetëve të tjerë, të skeduar nga Perëndimi për lidhje me botën e krimit. Cili do të jetë fati i 18 deputetëve, disa kryebashkiakëve dhe dhjetëra drejtorëve të inkriminuar, pas kasaphanës së Laçit dhe dorëzimit në Kuvend të paketës për dekriminalizimin? A do të distancohet kryeministri nga lista e të inkriminuarve apo do të thellojë izolimin e dyfishtë nga SHBA dhe Gjermania? A do t’i hapë rrugë kryeministri përjashtimit të elementëve të inkriminuar nga Parlamenti dhe administrata apo do të presë bombën e radhës? Dilemat do të marrin fund gjatë ditëve në vijim. Kryeministri do të jetë para provës së madhe, nëse do të distancohet me ligj nga inkriminimi i Parlamentit apo do të rreshtohet në mbrojtje të krimit. Nëse do të çlirohet nga elementët me të shkuar të errët, apo do të mbetet peng i tyre.
 
Kostoja për PS dhe Ramën 
 
Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga, është përfshirë në një konflikt me thika dhe armë për licensa dhe prona. Ngjarja e rëndë, me kosto kombëtare dhe ndërkombëtare për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, vjen pas disa ngjarjeve edhe më të rënda, të publikuara ditët e fundit. Dy ditë më parë, një shef anti-droge ka deklaruar se me skafin e ministrit të Brendshëm është transportuar drogë drejt Italisë, ndërsa trafikantët lëvizin me makinën e tij. Kryeministri Edi Rama ka tentuar t’i kalojë me nga një postim në Facebook këto situata, duke i konsideruar si haluçinacione të opozitës, por faktori ndërkombëtar pritet të vihet në lëvizje. Ngjarja vjen disa ditë pasi kryeministri Edi Rama ka shpallur aksionin kundër përvetësimit të pronave në zonat me përparësi turizmin.
 
Përleshja me thika dhe armë 
 
Përleshjet masive dhe rivaliteti shpeshherë vdekjeprurës për pasuritë e fundit të çmuara kombëtare, tashmë kanë përfshirë edhe Parlamentin Shqiptar. Nëse deri në 2013, pronat grabiteshin në heshtje nga rrethi i pushtetarëve të atëhershëm dhe eliminimet fizike morën edhe koka gjyqtarësh, tashmë parlamentarët shqiptarë përleshen me thika me rivalët për pasuritë e fundit kombëtare. Vendimet, shpeshherë të paligjshme, për tjetërsimin e pasurive të fundit shtetërore vijojnë të prodhojnë drama, viktima, përleshje me thika dhe me armë. Përleshja me thika dhe me armë para komisariatit të Kurbinit, mes familjes së deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga dhe familjes Cali, për Lagunën e Patokut, ishte një ngjarje e paralajmëruar. Konflikti konsiston në rivalitetin për Lagunën e Patokut.
 
Konflikti 
 
Ç’është e vërteta nuk bëhet fjalë për ta përvetësuar përfundimisht Lagunën e Patokut, por për ta shfrytëzuar për peshkim. Konflikti mes dy familjeve Prenga dhe Cali ka nisur pikërisht në muajin mars të këtij viti. Shkak është bërë një vendim i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë, i cili i heq licencën e peshkimit familjes Cali, duke ua dhënë familjes Prenga. Mini stria nuk ia rinovoi licencën dy vëllezërve Cali që e kishin atë prej më shumë se 20 viteve, por në mënyrë krejt të papritur licencën ia dha vëllait të deputetit Prenga. Në lojë ishte një biznes në Lagunën e Patokut. Familja Cali kishte edhe një lokal në Lagunën e Patokut. Familja Cali ka pretenduar se deputeti Prenga ka përdorur influencat në pushtet për t’u marrë licencën dhe për t’i detyruar që të heqin dorë nga biznesi në Patok. Beteja është zhvendosur në gjykata, ku më datën dy shtator ka qenë edhe një nga seancat. Por, çështja shumë shpejt është orientuar drejt zgjidhjes tradicionale. Përleshja e radhës ka përfunduar me disa të plagosur, me 34 të shoqëruar, përfshirë këtu edhe deputetin e Partisë Socialiste, Armando Prengën.  Adriatik Doçi

Kthehu mbrapa

Shto koment