Pas arrestimit të Haradinajt dhe Oriqit, pritet ndëshkimi i Serbisë

17.06.2015 (komentet: 0)

 

 

Dhjetë ditë para ndalimit të Ramush Haradinajt në Slloveni, në Zvicër u arrestua ish-komandanti famoz i luftës së Bosnjës, Naser Oriq. Analistët e çështjeve të sigurisë në Beograd thanë se këto dy veprime të koordinuara të Perëndimit i paraprijnë një ndëshkimi të madh për Serbinë.

Haradinaj Oric

 

 

Arrestimet e kosovarit Ramush Haradinajt në Slloveni, të mërkurën, dhe boshnjakut Naser Oriq, të mërkurën e kaluar në Zvicër, janë pjesë e lojës së dyfishtë që Perëndimi po e zhvillon karshi Serbisë.

Kriminologu Zoran Nikoliq dhe profesori në Fakultetin e Sigurisë në Beograd, Milan Mijalkovski, në një intervistë për Tanjug, kanë thënë se pas ndalimit të dy komandantëve të rëndësishëm të luftës nga Kosova e Bosnja, tash Brukseli dhe Washingtoni do t’i kërkojnë Beogradit ta pranojë ndonjë kusht të rëndë që ka të bëjë me këto dy shtete fqinje të Serbisë, transmeton Klan Kosova.

“Pas njohjes dhe pranimit të befasishëm të fletarrestimeve serbe nuk fshihet dëshira e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për drejtësi, por arritja e interesave personale”.

Në këtë frymë, Mijalkovski dhe Nikoliq kanë përmendur rezolutën për gjenocid në Srebrenicë, por edhe prapavijën e deklaratës së disa ditëve më parë të kryeministrit Aleksandar Vuciq, sipas të cilit, Serbia ndodhet para një periudhe të vështirë.

Dy analistët kanë thënë se janë të bindur që Haradinaj dhe Oriq do të lirohen shpejt, pasi arrestimet e tyre janë pjesë e një loje të koordinuar, ndërsa Serbia do të sfidohet me diçka të rëndë që nuk mund ta injorojë.

Mijalkovski ka thënë se nuk beson që Perëndimi do ta “kënaqë” Serbinë duke arrestuar edhe Hashim Thaçin, për të cilin, po ashtu, ka një fletarrest./klankosova/

Kthehu mbrapa

Shto koment