Paqen e rrezikojnë ekstremistët serbë në veri

22.08.2012 (komentet: 0)

Zëvendës/shefja e misionit amerikan në Kombet e Bashkuara, Rosemary di Carlo, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u debatua raporti për Kosovën, lavdëroi Kosovën për disa zhvillime pozitive që, siç tha ajo, kanë ndodhur gjatë tre muajve të fundit.

 

Di Carlo tha se Kosova dhe Serbia kanë punuar në mënyrë efektive me njëra-tjetrën dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të nxitur zhvillimin e institucioneve të forta demokratike. Por, tha ajo, është për të ardhur keq që dy komuna serbe në veri kanë shpërfillur hapur ligjin e Kosovës dhe Serbisë duke improvizuar një proces paralel votimi.

“Strukturat paralele nuk kanë asnjë rol legjitim në Kosovë dhe ato duhet të ishin shpërbërë shumë kohë më parë, në përputhje me rezolutën 1244”, tha di Carlo, raporton VoA.

“Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin rifillimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, tani që Serbia ka një qeveri të re. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Brukselit për nxitjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në mënyrë që ato të përmbushin aspiratat e tyre evropiane”.

Shtetet e Bashkuara, tha di Carlo, urojnë Kosovën lidhur me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Ne, tha ajo, bashkohemi me kolegët në Grupin Drejtues Ndërkombëtar për njohjen e përparimit të madh të arritur në Kosovë. “Vendimi për t'i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur në shtator është një votë besim ndaj përkushtimit të Kosovës dhe aftësisë për të ndërtuar një shtet shumetnik dhe demokratik”.

Shtetet e Bashkuara, tha di Carlo mbeten të shqetësuara për kërcënimet ndaj sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, tha ajo, ndonëse e prek këtë çështje, aty duhet t’i ishte vënë më shumë theks mungesës së bashkëpunimit, dhe sulmeve e kërcënimeve ndaj personelit ndërkombëtar nga ekstremistët në veri.

“Bllokimet nuk janë hequr, lëvizjet e trupave vazhdojnë të jenë të kufizuara, zyrtarët e EULEX-it dhe trupat e KFOR-it vazhdojnë të jenë të kërcënuara. Kërcënimet kryesore për paqen në Kosovë vijnë nga lidhja e elementëve ekstremistë dhe kriminalë në veri”.

Në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e 8 marsit, tha zonja di Carlo, Shtetet e Bashkuara i marrin seriozisht të gjitha akuzat për krime të rënda të kryera në rajon dhe theksojnë mbështetjen e plotë për punën e EULEX-it në këtë drejtim. /voa/

Kthehu mbrapa

Shto koment