Obama rizgjedhet president i SHBA-së (Foto/video)

07.11.2012 (komentet: 0)

Amerikanët votuan dhe rizgjodhën president të vendit të tyre Barack Obama-n, duke i dhënë atij të drejtën për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Obama arriti një fitore të pastër, duke mundur kandidatin republikan Mitt Romney. Menjëherë pas marrjes së rezultateve paraprake nga shtetet e lëkundura, Obama publikoi në Twitter lajmin për fitoren dhe mesazhin e falënderimit për zgjedhësit.

 

 

"Kjo ndodhi falë jush, ju falenderoj", shkruante Obama në rrjetin social Twitter, vetëm pak çaste pas marrjes së lajmit të fitores.

 "E arritëm këtë bashkë, duke bërë fushatën elektorale dhe tani ja ku jemi".

Vetëm pas çaste më vonë Barack publikoi në Twitter një foto ku ka përqafuar bashkëshorten e tij Michelle, duke e shoqëruar me fjalët: "Edhe katër vite të tjera".

Ndërkohë me anë të një e-maili, Obama u ka premtuar mbështetësve të tij se do të bëjë gjithçka është e mundur për të përfunduar atë që ka nisur.

Obama veç votave elektorale ka marrë edhe më shumë vota popullore se sa rivali i tij, Mitt Romney.

Romney pranoi humbjen në zgjedhje dhe doli përpara mbështetësve të tij në Boston, duke i falënderuar ata për gjithçka kanë bërë në këtë fushatë elektorale.

"Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. I kam telefonuar Presidentit Obama për ta uruar, familjen dhe zgjedhësit e tij. Kjo është një kohë sfidash për Amerikën dhe unë lutem që Presidenti të ketë sukses në rrugën e tij në drejtim të vendit tonë", tha Romney.

Sfidanti i Obama-s, tha se shpresonte që të mos i kishte zhgenjyer mbështetësit e tij, në një fjalim të shkurtër publik në Boston, ku pranoi humbjen përpara mijëra njerëzve.

"Kombi ynë, jeton një moment kritike dhe ne nuk mund të rrezikojmë duke mbajtur qëndrimin e gabuar. Unë besoj tek Amerika dhe tek populli amerikan", tha Romney.

Imazhet e festës në zonën e Obama-s në Chicago u transmetohen në ekrane gjigantë edhe në selinë e Romney-t në Boston, ku atmosfera ishte aspak e këndshme. Dukeshin fytyra të trishtuara dhe në atë park mbizotëronte një heshtje varri.

Avik Roy, një prej këshilltarëve të jashtëm të Mitt Romney-t për shëndetësinë, uron demokratët në një mesazh në Twitter. Mesazhi, i cili citohet nga Washington Post online,thotë: "Urime miqve të mi demokratë. Urimet e mia më të mira për administratën e re. Unë do të vazhdoj të bëj opozitë të ndrshme".

Nga ana tjetër mbështetësit e Barack Obama-s kanë nisur të festojnë në Qendrën e Kongreseve në Chicago McCormick Place, vend në të cilin kaluan gjithë mbrëmjen, në pritje të rezultateve. Festime ka edhe në New York dhe në seli të tjera ku janë grumbulluar komitetet mbështetëse të Obamas

Kthehu mbrapa

Shto koment