Obama nuk e pret Thaçin

06.04.2012 (komentet: 0)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama nuk do ta presë në takim kryeministrin Hashim Thaçi. Edhe pse fillimisht ishte thënë se në prill kryeministri kosovar do të takohet me numrin një të SHBA-ve në Shtëpinë e Bardhë, kjo tashmë konfirmohet edhe nga delegacioni i kryeministrit, se nuk do të ndodhë.

Që nga fillimi, ndërkaq ishte e paqartë nëse Thaçi do të takojë edhe Obaman, edhe pse Kryeministri dy ditë më parë paralajmëroi një takim për 6 prill, në ditën kur amerikanët festojnë Pashkët.

Megjithatë, kryeministri Thaçi takoi të enjten zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden. Ky i fundit e siguroi kryeministrin kosovar, se përkrahja e SHBA-ve do të jetë e vazhdueshme dhe e gjithanshme për Kosovën.

Biden gjithashtu theksoi se SHBA-të janë të palëkundura në mbështetje të plotë të tërësisë territoriale dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Kosovës. Këto komente ai i ka bërë gjatë një pritjeje që i bëri kryeministrit Hashim Thaçi.

Sipas një komunikate lëshuar nga Kryeministria, zëvendëspresidenti Biden e ka përgëzuar kryeministrin Thaçi “për lidershipin e tij në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës”.

Ai e siguroi kryeministrin Thaçi, se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin thellësisht të angazhuara në Kosovë, dhe do kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura.

Në takimin, siç thuhet, shumë miqësor, kryeministri Thaçi e ka njoftuar zëvendëspresidentin Biden lidhur me zhvillimet aktuale në Republikën e Kosovës.

Thaçi po ashtu ka shprehur mirënjohjen e lartë për zëvendëspresidentin Biden për rolin vendimtar që SHBA-të kanë pasur në relacion me të gjitha proceset historike, që ndërlidhen me Kosovën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi kërkoi nga Biden që SHBA-të të vazhdojnë të luajnë këtë rol vendimtar dhe të mbesin promotor të proceseve integruese për Kosovën në strukturat euroatlantike.

Kryeministri Thaçi në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në SHBA, do të takojë sekretarin

e Tregtisë të SHBA-ve, John Bryson, ndërsa të hënën me ftesën e ambasadorit Christopher Hill do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Denverit.

Thaçi pritet të ketë takim edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mon, në NjuJork, me ambasadorë të Kombeve të Bashkuara, si dhe kongresistë nga shteti i Nju- Jorkut.

Ndërsa ndryshe nga ajo që ishte proklamuar më herët, ai nuk do të zhvillojë takim me presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.

Arsyet pse Obama nuk e ka pritur Thaçin nuk janë dhënë.

Kthehu mbrapa

Shto koment