Obama mbron politikën e tij të jashtme

20.01.2012 (komentet: 0)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në një intervistë të gjatë të dhënë për revistën amerikane “TIME”, të mërkurën, i ka hedhur poshtë kritikat që i janë drejtuar atij nga republikanët për politikën e tij të jashtme, dhe veçanërisht për mënyrën se si ai e ka trajtuar çështjen e ambicieve bërthamore të Iranit.

“E kam thënë shumë qartë që kur kam filluar të garoj për presidencë se do të ndërmarrim çdo hap të mundshëm për të parandaluar Iranin nga krijimi i një arme bërthamore”, ka thënë presidenti demokrat, Obama.

“A mund të garantojmë se Irani do të zgjedhë rrugën e duhur? Jo, prandaj vazhdimisht kam thënë se ne nuk e përjashtojmë asnjë mundësi që e kemi në tavolinë për t’i parandaluar ata nga posedimi i një arme atomike”, ka theksuar ai.

Kreu amerikan ka thënë se republikanët që po synojnë t’ia zënë karrigen në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë favoritin Mitt Romney, po përpiqen të fitojnë mbështetjen e partisë dhe të sigurojnë kandidimin nëpërmjet sulmeve ndaj vendimeve të tij në politikën e jashtme.

“Unë mendoj se Romney dhe republikanët e tjerë do të vazhdojnë me këtë taktikë deri sa të përfundojë gara brendapartiake”, ka thënë Obama në intervistë. “Në përgjithësi, unë mendoj se do të jetë shumë e vështirë të argumentohet se ne gjatë tre vjetëve të fundit nuk e kemi ekzekutuar një strategji e cila e ka vënë Amerikën në një pozitë më të fortë se që ka qenë kur unë kam ardhur në pushtet”, ka shtuar presidenti i 44-t dhe aktual amerikan.

Obama do të kandidojë për një mandat të dytë në zgjedhjet që mbahen më 6 nëntor sivjet.

Romney ka deklaruar më 1 janar se Obama ka dështuar në përpjekjet e tij për të detyruar Iranin të heq dorë nga programi i saj i dyshimtë bërthamor.

“Unë dua që të sigurohem se njerëzit e këtij vendi e dinë se ai ka dështuar jo vetëm këtu, në vend, por edhe në trajtimin e rrezikut më të madh me të cilin përballemi, që na vjen nga Irani”, kishte thënë Romney.

Perëndimi supozon se Irani po përpiqet të krijojë armë bërthamore nën maskimin e një programi shkencor bërthamor. Republika Islamike mohon kategorikisht të ketë ambicie të tilla dhe këmbëngul se veprimtaria e saj është vetëm për energji dhe qëllime mjekësore.

Në intervistën për revistën “TIME”, Obama gjithashtu e ka krahasuar mandatin e tij me atë të paraardhësit të tij, George W. Bush, i cili i ka çuar Shtetet e Bashkuara në luftëra të shtrenjta në Afganistan dhe Irak.

“Është një udhëheqje amerikane që i di limitet në aspekt të resurseve dhe kapacitetit”, ka folur Obama për vendimet e tij në politikën e jashtme.

“E, megjithatë, ajo që unë mendoj se kemi arritur të dëshmojmë është një besim i qartë në mesin e vendeve të tjera të botës se Amerika vazhdon të jetë ai vendi i domosdoshëm për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha ndërkombëtare”, ka thënë Obama. (AFP)

Kthehu mbrapa

Shto koment