Obama kërcënon Assadin

21.08.2012 (komentet: 0)

Nëse qeveria siriane do të përdorë armë kimike për të luftuar rebelët, atëherë do ta urdhëroj ushtrinë që ta sulmojë Sirinë, ka kërcënuar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.

 

 

“Deri tani nuk kam urdhëruar një sulm ushtarak, por në qoftë se presidenti sirian, Bashar al-Assad fillon të përdorë armë kimike, pasojat do të jenë të mëdha”, u ka thënë Obama gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton BBC.

Përdorimi i armëve kimike, sipas presidentit amerikan, nuk do të kishte ndikim vetëm në Siri. “Ajo do të ndikonte tek të gjithë konsulentët tanë në rajon, duke përfshirë Izraelin, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar”.

Obama e ka porositur presidentin sirian se duhet të mendojë edhe për interesat e të tjerëve. Ai ka thënë se përdorimi i armëve kimike do të ishte vendim fatal, sepse sipas tij Shtetet e Bashkuara nuk do të toleronin një gjë të tillë.

Protestat në Siri që filluan para 17 muajsh kundër regjimit të al-Assadit, u shënddruan në luftë civile. Pasi regjimi filloi t’i shtypte protestat me dhunë, opozita u konsolidua dhe u formua Ushtria e Lirë e Sirisë.

Deri më tani janë vrarë rreth 20 mijë veta, shumica civilë, por presidenti al-Assad, i përkrahur nga Rusia dhe Kina, që e trashëgoi postin nga i ati në vitin 2000, nuk ka dhënë shenja të dorëzimit të pushtetit që tashmë akuzohet nga OKB-ja se ka kryer edhe krime kundër njerëzimit. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment