Obama: Gati plani për të shkatërruar IS-in

07.09.2014 (komentet: 0)

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha sot se këtë javë do të parashtrojë planin për të përballuar kërcënimin që përbëjnë militantët e Shtetit Islamik.

 

Obama tha në programin "Meet the Press" të rrjetit televiziv "NBC" se do të takohet me udhëheqësit e Kongresit të martën për të diskutuar këtë çështje.

Ai ka në plan të mbajë një fjalim të mërkurën në prag të përvjetorit të 13-të sulmeve të 11 shtatorit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se nuk do të ketë njoftim për përfshirjen e trupave tokësore amerikane në luftime.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e një koalicioni ndërkombëtar dhe do të kryejnë sulme ajrore në mbështetje të trupave irakiane dhe kurde.

Presidenti tha se brenda pak muajsh, vrulli i Shtetit Islamik do të jetë fashitur dhe territoret nën kontrollin e tyre do të pakësohen. Ai tha se grupi do të mposhtet.

Disa ligjvënës i kanë bërë thirrje presidentit të zgjerojë fushatën ajrore kundër grupit duke përfshirë objektiva në Siri. /shekulli/

Kthehu mbrapa

Shto koment