Nga Brukseli vijnë sugjerime për federatë ballkanike

23.06.2012 (komentet: 0)

“Është me rëndësi të bindet opinioni ndërkombëtar se nuk bëhet fjalë për një lloj të Shqipërisë së Madhe në prapavijë”, thuhet në analizë. Edhe analistët në Shkup vlerësojnë se formimi i një strukture të atillë do të kishte rëndësi ekonomike, politike por edhe gjeostrategjike

Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi duhet t’i bashkojnë forcat për të ndërtuar një strukturë të re për bashkëpunim të vazhdueshëm me qëllim të avancimit të raporteve politike dhe ekonomike, me qëllim final për t’u anëtarësuar në BE.

 Një tekst me propozim të këtillë është botuar në gazetën elektronike Euobserver, një nga mediat më serioze që merret me analiza të çështjeve që kanë të bëjnë me Bashkimin Evropian. “Ne besojmë se është momenti i duhur për ndryshim dhe për këtë arsye propozojmë themelimin e një strukture të llojit të Beneluxit që do të bashkonte Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Struktura e re do të sillte një shtytje të freskët të përgatitjeve për anëtarësim në BE dhe do të ndihmonte këto katër vende që bashkërisht më mirë të garojnë me ekonomitë e etabluara evropiane. Do të krijohej treg 8 milionësh me lëvizje të lirë të të mirave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve deri ën fund të vitit 2012 dhe do të sillte beneficione imediate në vend të pritjes për qasje në BE”, shkruhet në këtë tekst ( të cilin të plotë mund ta lexoni në faqen 10 të gazetës). Edhe analistët në Shkup vlerësojnë se formimi i një strukture të atillë do të kishte rëndësi ekonomike, politike por edhe gjeostrategjike. “Formimi i një strukture të atillë, pa marrë parasysh nëse do të quhej federatë, konfederatë ose do të kishte emër tjetër, do të ishte ideale si në aspektin ekonomik, poashtu edhe në aspektin gjeostrategjik. Ajo do të ishte një kundërpeshë dhe bedem i vërtetë për të mbrojtur interesin amerikan dhe evropian në Ballkan, nga tendencat gjithnjë e më evidente ruse për rritje të ndikimit në rajon”, vlerëson analisti Semi Mehmeti. Në të njëjtin tekst të botuar në Euobserver, thuhet se formimi i kësaj “strukture” mund të fillojë me një marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe të pasojë me ftesë për Maqedoninë dhe Malin e Zi. “Është me rëndësi të bindet opinioni ndërkombëtar se nuk bëhet fjalë për një lloj të Shqipërisë së Madhe në prapavijë”, thuhet në analizë, ku shtohet se formimi i “Beneluxit ballkanik” do të përshpejtonte dukshëm integrimin e këtyre katër vendeve në BE, proces i cili përndryshe do të mund të vonohej deri në vitin 2030. Bashkimi do të sillte zhvillim të shpejtë “Zhvillimi do të jetë shumë më i shpejtë nëse kufijtë vihen me një anë dhe bashkëpunimi ekonomik, mbështetur nga BE dhe SHBA, bëhet prioritet i lartë i katër shteteve”, thuhet në këtë analizë.

Kthehu mbrapa

Shto koment