Nga 250 kompani ndërkombëtare, shqiptari doli më i miri

23.04.2015 (komentet: 0)

Nuk është e lehtë të ideosh diçka të re, sidomos në një konkurrencë të madhe ku dija e kreativiteti duhet të krijojnë rehati për mjedisin dhe për perceptimin viziv. I riu nga Kosova, Petrit Pasha, I cili prej vitesh jeton dhe punon në Gjermani, ka arritur atë që shumëkush e ka në sirtarin e ëndrrave. Ëndrrat e tij po realizohen. Sakrifica, lodhja e përkushtimi, atij iu shpërblyen.

Petriti përfundoi Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, por gjithashtu kontribuoi në Fakultetin e tij edhe me namin që po e ndërton jashtë vendit.

Ai punoi në disa kompani vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa përzgjidhet në një ndër shkollat më me nam të arkitekturës moderne në Gjermani.

Fillimisht ka punuar si arkitekt në kompaninë projektuese dhe ndërtimore “Plan Ing”, e pastaj në kompaninë “Urban 3a” dhe CHWB (Cultural Heritage Without Borders). Me këta të fundit ka realizuar temën e diplomës: “Restaurimi i Kalasë së Vushtrrisë” .

“Gjatë shkollimit dhe karrierës sime isha pjesëmarrës në shumë prezantime në lëmin e arkitekturës, ku kisha nderin të takoja shumë profesionistë. Në njërën nga këto konferenca e prezantime pata fatin të takoja dekanin e Fakultetit të Arkitekturës, DIA, profesorin Alfred Jacoby. Me atë rast filluan kontaktet e para mes nesh, nga të cilat më është ofruar mundësia që të aplikoj në Bauhaus. Duke treguar rezultate të mira gjatë shkollimit bachelor në UP, përkushtimi dhe puna e palodhshme më ndihmuan të ndërtoj një portfolio të pasur me punime dhe projekte të ndryshme në Kosovë. Kështu, arrita të pranohem për studimet master në DIA, Bauhaus, Dessau - Gjermani”, thotë Pasha, për Telegrafin.

Kur ka parë konkursin për garën “Shabby Shabby Apartments“, ai ndjeu nevojën për të shprehur kreativitetin me të cilin mund të kontribuohet në një ambient më të pastër dhe më të përshtatshëm për shoqërinë.

“Me idenë time arrita të bindja edhe bashkëpunëtorët tjerë në kompaninë time në Gjermani, që të më përkrahin në këtë sfidë. Njëra ndër arsyet kryesore për të aplikuar në këtë konkurs ishte ripërdorimi i materialeve ndërtimore, përkatësisht mbetjeve të tyre, për ndërtimin e ‘Gold House’ që do të kontribuonte në vetëdijesimin e popullatës për riciklimin - për ndërtimin me çmime më të përshtatshme dhe kursimin e ambientit nga mbeturinat e ndërtimit të cilat do të kontribuojnë në pastërtinë e ambientit dhe mirëqenien e qytetarëve”.

Konkursi i hapur për ndërtimin e hapësirave publike (ekonomikisht të pranueshme) për banim të përkohshëm kishte një fond simbolik. Si projektues ishin Pasha dhe shefi i tij Markus Neuber. Realizimi dhe ndërtimi i projektit do të bëhet në grup, ku do të jenë edhe katër arkitektë dhe inxhinierë tjerë nga kompania e tyre. Në garë ishin 250 kompani projektuese ndërkombëtare.

“Edhe pse çmimi i ndërtimit nga organizatorët ishte caktuar të kishte një vlerë simbolike prej 250 eurove, vendosëm që këtë objekt do ta dizajnojmë, të transportojmë dhe të ndërtojmë gratis. Materialet të cilat do të ripërdoren do jenë nga punishtet e ALN kompanisë, kurse 250 eurot e alokuara për ndërtim do t’i rilokojmë për hulumtim në Universitetin e Arkitekturës - TU MUNICH”.

Për të arritur deri në këtë nivel, ai thotë se ka punuar me shumë përkushtim e sakrificë. Por, rezultatet nuk munguan, pasi në një periudhë kohore prej dy muajsh ata arritën të fitojnë në katër gara kombëtare e ndërkombëtare e të bëhen pjesë e magazinave botërore, si Domus, Mark, e gjithashtu edhe pjesë e projekteve dhe punëtorive të ndryshme në Evropë dhe më gjerë.

“Çmimin e konsideroj motivim shtesë për më shumë punë, për vlera më të mëdha dhe për krijimin e bashkpunimeve - urave të reja lidhëse”.

Kjo garë përfshiu idetë nga 250 kompani ndërkombëtare. Vlerësimi i projektit fitues u bë nga votat e publikut. Projekti “Golden House “ do të realizohet në Munih.

Por, çka mund të pritet nga Pasha nesër?

“Punë të palodhshme, projekte të reja dhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve perëndimore dhe Kosovës e Shqipërisë. Përpiqem që kompanitë me të cilat punoj në Gjermani t’i sjelli në regjionin tonë. Vlen të ceki krijimin e një bashkëpunimi të suksesshëm në vitin 2014 në konkursin ‘Vlora Waterfront’ në Shqipëri. Për momentin, me kompaninë me të cilën punoj jam duke u përgatitur për konkursin ‘Qyteti Student’ në Tiranë. Rrethin e parë e kemi kaluar, kurse po luftojmë për rrethin e dytë”.

Gjithashtu, Basha u nderua duke u përzgjedhur si përfaqësues i arkitektëve të Kosovës në marrëdhënie nga jashtë.

“Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës para disa muajsh më nderoi duke më përzgjedhur si përfaqësues me marrëdhënie nga jashtë. Menjëherë kam filluar hapat e parë të prezantimit të arkitektëve kosovarë në Evropë, si përfaqësues në ‘BAU 2015’ (panairi më i madh i arkitekturës, ndërtimtarisë dhe produkteve ndërtimore në Gjermani) dhe ‘Milan Expo 2015’. Në anën tjetër, shpresoj në bashkëpunim më të lartë të organeve kompetente për studentët e rinj, për zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe të talenteve të rinj”.

Shqiptarët në Perëndim dinë të tregohen të suksesshëm. Se a është rrethi që atyre ua mundëson këtë, apo jashtë ata japin më të mirën nga vetja, kjo nuk dihet. Por, një gjë dihet: me punë dhe përkushtim, arrihet suksesi. Këtë e realizoi Petrit Pasha, fillimisht në Kosovë, e pastaj edhe në Gjermani. /Telegrafi/

Kthehu mbrapa

Shto koment