Në Ulqin u organizua protestë kundër diskriminimit në fushën e arsimit (video + foto)

15.11.2014 (komentet: 0)

 

Në qytetin e Ulqini u mbajt një protestë ku qytetaret e pranishëm shprehen pakënaqësitë e tyre me gjendjen e përgjithëshme në fushën e arsimit.

 

video

 

Qytetarëve të pranishëm në protestë iu drejtua Gëzim Ibroçi i cili ishte edhe nismetar i kësaj proteste. Ibroçi në fjalimin e tij paraqiti arsyet e protestës. Më poshtë mund të shikoni fjalimin e z. Ibroçi.

Shqiptarët në Malin e Zi kanë organizuar ditën e premte në Ulqin një protestë kundër diskriminimit në arsim me moto: “ Të protesotojmë për dinjitet, stop diskriminimit, duam të arsimohemi si shqiptarë”.

Nismëtari i protestës, gazetari Gëzim Ibroçi, tha se jo rastësisht ky tubim mbahet në ditën kur u mblodh Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Abetares, për të dëshmuar se shqiptarët në Mal të Zi si popull autokton duam të mbrojmë identitetin, se duam barazi dhe duam të na i respektojnë të drejtat tona elementare, të njohura me çdo konventë ndërkombëtare.

“Jemi shqiptarë dhe duam të arsimohemi si të tillë, nxënësve shqiptarë po u shkelen të drejtat e bashkë me ta edhe ne si prindër po diskriminohemi. Të bashkohemi rreth kësaj çështje, rreth të ardhmes së fëmijëve tanë, theksoi Ibroçi në porosinë drejtuar politikanëve shqiptarë në Mal të Zi.
Ibroçi përmendi bazën kushtetuese e ligjore në të cilën mbështeten kërkesat e shtruara.

Në këtë protestë u tha se nxënësit shqiptarë në Mal të Zi kanë shumë pak, për të mos thënë aspak apo të cunguara njësi mësimore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve; gjuha amtare shqipe, edhe pse përdorimi i saj është i garantuar me ligj, nuk zbatohet në praktik nëpër të gjitha dokumentet shkollore, mbledhjet apo aktivitetet tjera në shkollë; politika dhe centralizimi ka lënë jashtë shqiptarët nga procesi, filluar që nga Ministria, drejtimi i institucioneve shkollore dhe ato vendimmarrëse; shkollat, në veçanti paralelet e ndara në zonat rurale ku mësojnë nxënësit shqiptarë, janë në gjendje shumë të keqe dhe nuk plotësojnë kushtet për zhvillimin e mësimit; dhe tekstet shkollore, në veçanti libri i historisë, është diskriminues dhe ofendues, e po ashtu ai i kulturës muzikore
Ibroçi theksoi se këto janë vetëm disa prej anomalive që rëndojnë arsimin e nxënësve shqiptarë në Mal të Zi, duke kërkuar që fëmijët e tyre, nxënësit shqiptarë të mësojnë si shqiptar, duke mësuar për historinë, këngët dhe kulturën kombëtare në tekstet e tyre shkollore, e që tekstet shkollore aktuale të zëvendësohen me botimet e Prishtinës deri në hartimin e teksteve të reja ku do ishin edhe shqiptarët pjesë e këtij procesi.

Me mesazhin e shkruar pjesëtarëve të tubimit iu drejtua kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Genci Nimanbegu, në të cilin thuhet: “Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve mbështet çdo aktivitet që ka për qëllim përmirësimin e situatës së shqiptarëve në Mal të Zi. Këshilli ka përpiluar kërkesat e veta në qershor të vitit 2014 për përmirësimin e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe këto kërkesa janë dërguar në të gjitha adresat relevante. Gjithashtu edhe kërkesat tuaja janë të qarta dhe demokratike. Këto kërkesa të mbështetura me nënshkrime do të jenë obligim për përfaëqsuesit politikë shqiptarë në Mal të Zi, që t’i mbështesin dhe përcjellin Ministrisë së Arsimit, por edhe kjo ministri të ndryshojë rrënjësisht politikat e deritashme , duke inkuadruar praktika demokratike perëndimore.”

Në protestë përveç qytetareve ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shumë subjekteve politike. Në protesë u pa edhe kryetari i komunës së Ulqini Fatmir Gjeka por edhe politikanë të tjerë si Mehmet Bardhi, Mehmet Zenka, Dritan Abazoviq, Amir Hollaj e të tjerë.

Në fund të protestës u nënshkrua edhe një peticion

Kthehu mbrapa

Shto koment