.

“Clinton nuk është e mirëseardhur në Beograd për shkak të rolit të SHBA-ve për marrjen e Kosovës nga Serbia”, kanë thënë folësit në demonstratën e mbrëmshme në qendër të Beogradit, raporton “AnsaMed”.

Rreth 100 persona morën pjesë në demonstratë, ku shumë prej tyre mbanin në duar flamuj me fjalët “duart larg – Kosova është Serbi”.

Voisllav Sheshel, i cili drejton Partinë Radikale Serbe dhe është duke u gjykuar në Hagë për krime lufte, ka urdhëruar “të gjithë patriotët” të mblidhen jashtë Presidencës serbe para vizitës së Clinton dhe Përfaqësueses për Punë të Jashtme në BE, Catherine Ashton.

Vizita ballkanike e Clinton dhe Ashton ka nisur mbrëmë me Sarajevën. Ato pritet të arrijnë në Kosovë sot në mbrëmje, ndërsa do të qëndrojnë edhe nesër gjatë ditës në vendin tonë. Pastaj pritet të vizitojnë Shqipërinë dhe Kroacinë me qëllim të promovimit të integrimit euro-atlantik në rajon. /Zëri/