“Në rast të trazirave në Luginë, do të reagojmë ashpër”

21.01.2013 (komentet: 0)

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se askënd nga komuniteti ndërkombëtar nuk e ka pyetur për heqjen e lapidarit kushtuar luftëtarëve të UÇPMB-së në Preshevë.

“Mesazhi për komunitetin ndërkombëtar është ky: Nuk lejojmë që Serbisë t’i imponohen standardet që nuk vlejnë për shtetet e tyre”, ka thënë Daçiqi për televizionin B92.

Ai theksoi se e vetmja gjë që ka pranuar si qëndrim të bashkësisë ndërkombëtare është se “kjo është një çështje e brendshme e Serbisë dhe se çdo gjë duhet të zgjidhet në përputhje me ligjin, i cili është respektuar”.

Daçiq tha se me heqjen e monumentit në Preshevë askush nuk donte të fyente ndjenjat e shqiptarëve, dhe se lapidari nuk është dëmtuar.

“Nuk mund të ekzistojë një provokim i tillë i cili direkt është kundër interesave kombëtare dhe shtetërore të Serbisë. Forca nuk është aplikuar, nuk ka pasur incidente. Nëse dikush dëshiron incidente reale apo trazira, duhet të dini se do të hasni në reagimin e fortë të shtetit të Serbisë”, ka thënë Daçiqi.

Duke iu përgjigjur reagimit të Qeverisë së Kosovës se heqja e monumentit e vë në pikëpyetje dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Daçiq tha se “askush nuk e pyet qeverinë e Kosovës nëse do të mbahen negociatat”.

“Kjo nuk është pjesë e bisedimeve, jo pse nuk kam dashur unë, por sepse askush nuk donte të përzinte këto dy çështje”, tha kryeministri i Serbisë.

Kthehu mbrapa

Shto koment