Në Maqedoni, një grua lind mesatarisht 1.5 fëmijë

01.10.2012 (komentet: 0)

Shkup, 30 shtator - Maqedonia po bëhet shtet me popullatë të moshuar pasi numri i lindjeve vazhdon të shënojë rënie. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1950 e deri në vitin 2011 numri i fëmijëve të lindur është ulur për 54 për qind.

“Në vitin 1950 kanë lindur 50 mijë  fëmijë. Në vitin 2011, 22 mijë. Kjo është një rënie që po vazhdon dekada me radhë në Maqedoni  dhe madje me një tendencë që duhet të gjithë t’i shqetësojë”, deklaroi Vllatko Gjorçev, deputet i VMROQ-DPMNE-së.

Rënia e lindjeve krijon probleme serioze në ekonomi, sidomos në qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Kjo do të thotë që nëse tani në 1.7 punonjës ka një pensionist, në të ardhmen ky raport do të arrijë në 1.2 të punësuar në një pensionist. Si arsye kryesore për rënien e natalitetit është standardi i ulët i jetesës, raporton Alsat-M .

Derisa një grua në vitin 1994 lindte mesatarisht 2.1 fëmijë, sot një grua lind mesatarisht  1.5 fëmijë.

“Është e nevojshme të arrihet një konsensus i gjerë, në raport me atë çka është ajo që i konvenon këtij shteti, si duhet qeveria të veprojë dhe cilat politika do të çojnë deri në një rezultat pozitiv”, u shpreh Sonja Tanevska, përfaqësuese e Fondit për Popullsi në Kombet e Bashkuara.

Përveç rënies së numrit të lindjeve, hetohet edhe rritja e numrit të divorceve. Derisa në vitet e nëntëdhjeta në 1 000 martesa kishte 40 ndarje, tani në 1 000 martesa ka 121 divorce.  

Kthehu mbrapa

Shto koment