Mesiq, qytetar nderi i Tetovës

08.11.2012 (komentet: 0)

Në një ceremoni solemne, të organizuar në Pallatin e Kulturës, Komuna e Tetovës me iniciativë të kryetarit, Sadi Bexheti, ka shpallur qytetar nderi të Tetovës, presidentin e Kroacisë 2000-2010, Stjepan Mesic.

 

 

Ky titull i jepet presidentit Mesic me motivacionin për kontributin në zgjerimin e hapësirave të demokracisë dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.

Pas marrjes së titullit qytetar nderi i Tetovës, ish kryetari i Kroacisë, Stjepan Mesic, duke falënderuar për nderimin që i bëhet, tha se Tetova është një vend ku bashkëjetojnë shumë kultura, shumë etnitete, shumë religjione dhe kjo këtë qytetet e bën të fuqishëm, transmeton INA.

“Për vetë faktin që prej sot jam bashkëqytetar i juaji më është veçanërisht e vlefshme nga shkaku se ju këtë nder ma bëni dy vite pas përfundimit të mandatit si funksionar më i lartë i atdheut tim. Ju më nderuat si bashkëqytetar i juaji për atë që kam bërë deri më tani. Ju keni nderuar punën time dhe me këtë më keni shpallur qytetar nderi i qytetit të Tetovës”, tha Mesic.

Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti tha se qyteti i Tetovës ndodhet përpara një ngjarjeje të madhe, përpara një vlerësimi dhe nderimi të karrierës politike disavjeçare të njërit nga protagonistët më të matur dhe më të urtë të kohës së trazuar ballkanike. 

Kthehu mbrapa

Shto koment