Mesazhe nga Shkupi për bashkim kombëtar

26.11.2012 (komentet: 0)

Mijëra shqiptarë nga trevat e ndryshme të Maqedonisë festuan sonte në Shkup 100 vjetorin e pavarësisë.

Në ceremoninë festive kanë marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi nën shoqërimin e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti.

Në këtë ceremoni kanë munguar liderët e dy partive tjera shqiptare, Menduh Thaçi dhe Rufi Osmani, ndërsa ishin të pranishëm zëvendëskryeministrat e Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi, lideri i LSI-së Ilir Meta si dhe Rifat Jashari nga familja e Jasharajve nga Prekazi i Drenicës.

Kryeministri Sali Berisha tha se ndjehet i lumtur që shqiptarët po festojnë bashkërisht këtë shekull të pavarësisë së shtetit shqiptar.

“Shekulli që lamë mbrapa ishte shekulli i një kaluari, ata të cilët shpallën në Vlorë pavarësinë, shpallën pavarësinë e Shqipërisë jetike, dy të tretat e trojeve tona na u ndanë me padrejtësi. Sot lavdi zotit dhe armëve tona, ndjehuni të lirë, festojmë të bashkuar, të sigurt drejt së ardhmes sonë. Sot pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qenë krenarë me njëri-tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja”, deklaroi kryeministri Berisha.

Për kryeministrin e Shqipërisë ky 100-vjetor na fton të realizojmë një ëndërr, atë të bashkimit kombëtar, siç tha ai, ndërsa u shpreh i lumtur që festimet e nisura në Shkup, do vijojnë në Prishtinë e më pas në Vlorë e Tiranë.

“Ne shqiptarët nuk u pajtuam kurrë me padrejtësitë, nuk pranojmë shtypjen e të tjerëve, ndaj dhe bëmë një rezistencë legjendare, UÇK-të do zhvillonin luftën e fundit çlirimtare në Evropë. Lavdi përjetë luftëtarëve dhe udhëheqësve politikë”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, ky 100-vjetor na fton, na frymëzon të vazhdojmë të bëjmë realitet ëndrrën e atyre që u flijuan për liri dhe dinjitet kombëtar.

“Këtu nga Shkupi i bëj thirrje shqiptarëve, të punojnë çdo minutë, orë, muaj, vit për bashkimin e tyre. Iu bëj thirrje fëmijëve tanë, fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve, ta bëni më të lirë, më të drejtë, se shqiptarët janë të gatshëm për bashkëpunim, shqiptarët e lirë janë forcë zhvillimi për veten dhe rajonin. Askush të mos druhet dhe askush të mos hidhërohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin. Nën moton të bashkohemi me Evropën, të bashkohemi me njëri-tjetrin, ti përqendrojmë forcat tona”, tha Berisha.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, nacionalizmi shqiptar është nacionalizmi më qytetar i Evropës, pasi bazohet në respekt.

Ahmeti: Ne po punojmë për të drejtat e shqiptarëve dhe respektimin e të gjitha komuniteteve

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij theksoi se është i përkushtuar për të punuar bashkërisht për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, duke bashkëjetuar me maqedonasit dhe duke respektuar të gjitha komunitetet etnike.

Ai ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 100 vjetorit, duke thirrur për unitet dhe bashkëveprim më të ngushtë.

“Ne nuk punojmë për pozicionet dhe komoditet tonin. Ne me shumë përpjekje viteve të fundit kemi punuar për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Kemi luftuar për të drejtat njerëzore dhe kombëtare, dhe ja po shënojnë e festojmë Ditën e Alfabetit, Ditën e Flamurit dhe Ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe kjo në nivelin më të lartë shtetëror, ashtu siç organizuam këtë festë të sotme”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni jetojnë bashkërisht me maqedonasit dhe ne respektojmë këta bashkëqytetar, ashtu siç i respektojmë edhe të gjitha komunitetet e tjera etnike në Maqedoni.

“Ashtu edhe ne mund të presim që të jemi të respektuar. Ashtu ndërtohet stabiliteti në Ballkan, ashtu mund të ndërtojmë paqen dhe bashkërisht të shkojmë në BE dhe NATO. Po punojmë për të tejkaluar armiqësitë tona historike. Nëse kanë mundur të tejkalojnë këto francezët dhe gjermanët, mundet ti tejkalojmë edhe ne në Ballkan”, ka theksuar Ahmeti.

Kthehu mbrapa

Shto koment