Mesazh për shqiptarët nga Kryeministri Britanik për Lojërat Olimpike Londër 2012

20.04.2012 (komentet: 0)

Duam të ndërtojmë lidhje të reja dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Britanisë

Nga DAVID CAMERON

Mbas vetëm 100 ditësh do të hapet në Londër Olimpiada 2012, një fillim i mahnitshëm për spektaklin më të madh në botë. Ne dëshirojmë të ndajmë me popullin shqiptar gëzimin për këto Lojëra fantastike Olimpike dhe Paralimpike, dhe kjo është arsyeja pse mesazhi im për ju sot është ky: “Jeni të mirëpritur”.

Këto lojëra – dhe kjo verë – do të jenë një moment krenar për Britaninë. Ne jo vetëm që do të bëjmë realitet të mbajmë Lojërat Olimpike me të mira ndonjëherë, por do të jemi edhe duke festuar shërbimin 60-vjeçar të Madhërisë së Saj Mbretëreshës – mbretërimi i dytë më i gjatë në historinë e botës. Është një periudhë shumë e veçantë për vendin tonë dhe ne duam ta ndajmë atë me shqiptarët.

Unë e di se Britania do të bëjë më të mirën e vet. Ne kemi ndërtuar komplekse të reja sportive të shkëlqyera – në kohë dhe brenda buxhetit. Ne e kemi bërë qytetin tonë gati, përmirësuam sistemet tona të transportit dhe mezi presim të përshëndesim botën.

Çfarë do të ofrojë “Londra 2012”? Pikëpamja ime është se këto lojëra janë të rëndësishme për dy gjëra. Po, sporti do të jetë në zemër të kësaj gare të madhe. Ne do të shohim të thyhen rekorde botërore, të krijohen kujtime dhe miqësi të reja, të cilat do të fillojnë gjatë vetë lojërave. Por, kur lojërat të kenë mbaruar dhe medaljet të jenë dorëzuar, unë jam i vendosur që këto olimpiada do të vazhdojnë të ndryshojne jetën për më mirë.

Kjo trashëgimi është jetike. Kur oferta jonë fitoi, Zhak Rozhe, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, foli në lidhje me një “magji të veçantë” që Britania e Madhe do t’u hidhte Lojërave të 2012-ës – dhe ne jemi siguruar që kjo do të ndodhë.

Si qyteti i vetëm, i cili është nderuar tri herë me organizimin e Olimpiadës, ne vijmë me një traditë të madhe.
Në vitin 1908, Olimpiada moderne erdhi në Londër – qytet ku parakaluan për herë të parë atletë olimpikë nën flamujt e tyre kombëtarë. Rruga e maratonës – ~42 km, 352 metra – u vendos në mënyrë që gara të fillonte në Kështjellën Windsor dhe të përfundonte para tribunës mbretërore në stadium, dhe kjo është distanca që është përdorur që atëherë në mbarë botën.

Pastaj, në vitin 1948, Lojërat u zhvilluan në hijen e një lufte botërore shkatërruese. Megjithatë, Londra arriti t’i sjellë vendet së bashku për të festuar idealet olimpike të miqësisë dhe të komunitetit ndërkombëtar. Dhe akoma më shumë se kaq, ata krijuan mundësi të reja për gratë në sport, ishin të parët në lëvizjen olimpike vullnetare dhe hodhën themelet për Lojërat moderne Paralimpike.

Dhe këtë verë, kur atletët dhe vizitorët të mbërrijnë, ata do të gjejnë në Londër një bllok krejt të ri banimi rreth Parkut Olimpik, në lindje të qytetit. Ka qenë një shtysë e fortë si një central elektrik i rigjenerimit, dhe kur lojërat të kenë mbaruar, do të jetë vendi i shtëpive të reja, biznesit dhe vendeve të punës.Ne kemi udhëhequr rrugën me metoda të reja të dizajnit dhe të ndërtimit, duke përdorur teknologji me karbon të ulët për të bërë në “Londër 2012” lojërat e para vërtet të qëndrueshme.

Dhe duke investuar në objekte të reja sportive dhe vendosjen e konkursit të ri “Lojërat e Shkollës” në shkollat e të gjithë vendit, ne po frymëzojmë gjeneratat e reja të të rinjve që të përjetojnë gëzimet dhe përfitimet e sportit.
Por, trashëgimia e “Londrës 2012” nuk kufizohet vetëm me Britaninë. Programi Ndërkombëtar i Frymëzimit po krijon mundësi për më shumë se 12 milionë njerëz në 20 vende të botës.

Jo vetëm që është duke lejuar më shumë njerëz të rinj të shijojnë sportin sot, por gjithashtu po ndihmon për të ndryshuar mënyrën se si këto vende promovojnë sportin në shkolla dhe në gjithë shoqërinë për një afat të gjatë. Është një shembull fantastik se sa ne jemi të vendosur për të siguruar se çdo komb, dhe jo vetëm Britania e Madhe, mund të shfrytëzojë frymëzimin e vitit 2012.

Pra unë dua që këto lojëra të jenë më shumë se vetëm përshëndetje për atletët në Londër për një verë të vetme. Ne duam të ndërtojmë lidhje të reja dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Britanisë. Nëse ju jeni një student apo akademik, është një shans për të mësuar më shumë rreth një vendi, i cili ka katër nga dhjetë universitetet më të mira në botë dhe më shumë se 75 çmime “Nobel” vetëm për shkencë dhe teknologji.

Nëse ju jeni një sipërmarrës apo investitor, “Londra 2012” është një shans për të zbuluar mundësi të reja në një vend që ka më pak barriera për sipërmarrjet se çdo vend tjetër në botë.

Dhe nëse ju jeni një turist apo vizitor, ky është një shans për të përjetuar një përzierje unike të Britanisë së vjetër dhe asaj të re – historia dhe trashëgimia e kështjellave tona, peizazhet dhe shtëpitë mbretërore së bashku me kulturën moderne të muzikës dhe të artit tone, teatrit dhe modës sonë.
Sport, Biznes dhe Kulturë madhështore.

Organizimi i Lojërave Olimpike Londër 2012 është një nder shumë i madh. Ne duam ta bëjmë këtë një moment të madh për Britaninë, dhe me padurim po mirëpresim që bota të bëhet pjese e tij.

Kthehu mbrapa

Shto koment