Mediat serbe po tentojnë implikimin e Kosovës në vrasjen në Maqedoni

18.04.2012 (komentet: 0)

Mediat serbe janë ndër më aktivet në rajon që po ndjekin dhe raportojnë mbi vrasjen e pesëfishtë dhe tensionet ndëretnike në Maqedoni.

Raportimet e një pjese të mediave, përfshirë edhe servisin publik RTS, po thirren në lajme dhe informacione spekulative, duke tentuar implikimin indirekt të Kosovës. 

Kjo dëshmohet me trajtimin e vazhdueshëm të pistave të hetimit të vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc. Një nga televizionet serbe Prva Srpska Televizija ditë më parë raportoi se policia maqedonase ka gjetur një makinë të tipit “Jeep” në afërsi të kufirit Bllacë me Kosovën. 

Edhe RTS është thirrur në informacionet e njëjta, duke spekuluar se makina është gjetur në afërsi të kufirit me Kosovën. 

Një zyrtar i lartë shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë i tha agjencisë së lajmeve INA se tendencat e tilla të plasimit të lajmeve të kësaj natyre ka për qëllim që të implikojë Kosovën. “Kjo shihet qartë dhe tentimet e qarqeve serbe, që kanë akces në media apo që kontrollojnë mediat e tyre janë që Kosova të jetë një burim i nxitjes së konfliktit në Maqedoni dhe krijimi i një imazhi për Kosovën duke e shndërruar ate në një çerdhe kriminelësh. Por, kjo aspak nuk guxon të merret në konsideratë, pasi që janë të njohura tentimet e këtyre mediave serbe”, theksoi për INA, zyrtari i lartë i Qeverisë.  

Një vëmendje e veçantë i është dhënë edhe një komunikate të AKSH-së dhe një armate tjetër AÇTOSH,e shfaqur përmes disa emailave të internetit, ku theksohet situata në Maqedoni dhe mundësia e shpërthimit të konfliktit. 

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) përmes ministres Gordana Jankullovska i ka vlerësuar dezinformata lajmet e plasuara nga disa media serbe, ndërsa nuk janë komentuar deklarimet dhe kërcënimet e fundit përmes internetit nga ana e “armatave” të thirrura shqiptare. 

Kthehu mbrapa

Shto koment