Mbretëresha e Britanisë së Madhe nderon Dr. Noel Malcolmin

31.12.2013 (komentet: 0)

Dr. Noel Robert Malcolm, hulumtues i lartë shkencor në All Souls College në Oxford University, nga mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II, ka marrë titullin Kalorës (Knight Bachellor) për shërbimet në hulumtime, gazetari dhe histori të Evropës. Nga sot (31 dhjetor 2013) shkencëtari sipëror britanik dhe botëror, Noel Malcolm, i cili është edhe kryetar “Anglo-Albanian Association” në Londër, është Sir Noel Malcolm.

 

Daut Dauti, Londër

Shqiptarët më së shumti e njohin Sir Noel Malcolmin si autor të librit “Kosovo- A short History” (Kosova – Një Histori e Shkurtër) e cila vepër ua ndërroi botëkuptimet e vjetra që kishin për Kosovën shkencëtarët dhe vendimmarrësit politik të botës. Shumica e ekspertëve mendojnë se ky libër është një ndër shkaqet kryesore që shtyu intervenimin e Perëndimit në Kosovë. Kjo vepër është bërë edhe doracak për historianët që merren me çështjen e Kosovës.

 

Sir Malcolm është autor edhe i librit “Bosnia – A Short History” (Bosna – Një Histori e Shkurtër) e cila u botua në vitin 1994, katër vite para librit për Kosovën. Këto dy vepra janë një nga arsyet që Sir Malcolm është shpërblyer me këtë titull të lartë nga mbretëresha britanike.

 

Ekzistojnë edhe një varg veprash tjera por edhe roli në gazetari që janë bërë arsye për dhënien e këtij titulli të nderuar. Sir Malcolm ka qenë kryeredaktor i revistës më të njohur politike në botë “The Spectator” dhe kolumnist në “The Daily Telegraph”. Pos gazetarisë shkëlqyese që ushtroi, Sir Malcolm, mbahet mend të jetë edhe kryeredaktori më i ri nga mosha që pati kjo revista “The Spectator” deri sot.

 

Në qarqet shkencore britanike dhe botërore Sir Malcolm njihet më shumë për vepra tjera. Ai, pa asnjë dyshim, është studiuesi më i mirë i Thomas Hobbesit. Në lidhje me te, Sir Malcolm, ka botuar librin “Aspects of Hobbes” që merret si studimi më i mirë që ekziston për këtë filozof britanik. Por, vepra e tij edhe më e respektuar për Hobbesin është “The Correspondence of Thomas Hobbes” vepër voluminoze në të cilën Sir Malcolm ka punuar dekada me radhë. 

 

Vepra tjera, poashtu shumë të rëndësishme, janë: “The Origins of English Nonsense” në të cilën bëhet fjalë për llojin e poezinë angleze e cila quhet e pakuptimtë; “Reason of State, Propaganda, and the Thirty Years’ War” ku shtjellohet kjo vepër e përkthyer nga latinishtja në anglisht që e kishte bërë Thomas Hobbes.

 

Sir Malcolm është autor edhe i këtyre veprave: “George Enrscu: His Life and Music”, “Sense on Sovereignty”, “De Dominis, 1560-1624: Venetian, Anglican, Ecumenist and Relapsed Heretic”, etj.

 

Sir Malcolm është autor edhe i një vargu të panumërt të punimeve shkencore të botuara nga revistat dhe institutet më të famshme botërore. Ky njeri i madh, me influencën e tij poashtu të madhe, nuk ka pushuar asnjëherë së ndihmuari çështjen shqiptare dhe shqiptarët në Britani të Madhe dhe kudo në botë.

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment