Mbahet konferenca e parë e shqiptarëve në Zvicër

19.09.2015 (komentet: 0)

Në Cyrih është mbajtur konferenca e parë e diasporës shqiptare të Zvicrës që për synim ka organizimin e një platforme të përbashkët e të gjitha shoqatave shqiptare. Në këtë takim u kërkua nga përfaqësuesit e shoqatave më tepër angazhim rreth shkollimit të fëmijëve shqiptarë.

 

Kësaj iniciative u janë përgjigjur një numër i konsiderueshëm i shoqatave, instituteve dhe forumeve shqiptare, të cilat janë aktive në shtetin helvetik.

Kryetari i Kuvendit, Jeton Kryeziu duke bërë një përmbledhje të aktiviteteve të Kuvendit, theksoi ndër të tjera se objektivat e subjektit që ai udhëheq, janë për të mbrojtur interesin e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

“Qëllimi i kësaj konference është të analizojmë, ku jemi sot si diasporë shqiptare, cilat janë shoqatat shqiptare në Zvicër, çfarë aktivitetesh kanë dhe çfarë mund të bëjmë më shumë që të kemi rezultate më të mira. Ju e keni parë në hyrje të ftesës që kemi shkruar, Konferenca e parë e shqiptarëve të Zvicrës. Qëllimi ynë është të mbajmë çdo vit një konferencë të tillë. Të ndalemi e të shohim ku janë pengesat, çfarë mund të përmirësojmë, çfarë kemi arritur dhe ku do të arrijmë në një periudhë pesë deri dhjetë vjeçare”, u shpreh Kryeziu, përcjell ksp.

Në referatin e tij, anëtari zviceran në kryesinë e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Avokati Roland Wiprächtiger ka elaboruar historinë e kaluar të shqiptarëve të Zvicrës. Ai nuk la pa elaboruar fillet e punëtorëve të parë shqiptarë të ardhur në Zvicër, vështirësitë e tyre në tregun e punës me viza nëntë mujore, pa të drejta dhe me mikpritjen e ftohtë zvicerane që bazohet më shumë në nevoja për fuqinë punëtore. Ai ju kërkoi përfaqësuesve të shoqatave më tepër angazhim rreth shkollimit të fëmijëve shqiptarë e më pak të merren me njëri tjetrin. Ai kritikoi qasjen e shoqatave shqiptare ndaj problemeve që ka diaspora shqiptare.

Si domosdoshmëri pune të shoqatave shqiptare, ai potencoi angazhimin e tyre në nxitjen e shkollimit të rinjve shqiptarë në Zvicër. Një shkollim i mirë, mes tjerash theksoi ai, kushton para, ndoshta disa prindër nuk mund ta financojnë shkollimin e fëmijëve të tyre, por para se të gjithash, investimi në shkollim duhet të ketë prioritet.

Një dukuri negative, që ai e theksoi është mungesa e bashkëpunimit mes shoqatave shqiptare. Ndonëse ato synojnë qëllimet e veta, shoqatat shqiptare nuk bashkëpunojnë, projektet e të tjerëve thjeshtë i kritikojnë, pengojnë dhe punojnë kundër njëra tjetrës dhe në fund mungon suksesi.

Përfaqësuesja e Qendrës Kulturore Shqiptare në Cyrih, Shukrije Ramadani, kërkoi nga Kuvendi që të shfrytëzojë më mirë kapacitetet e shumta intelektuale e organizative që ofron sot mërgata shqiptare në Zvicër.

“Gjenerata e tretë sot ka shumë djem e vajza, që kanë arritur suksese në jetën e tyre profesionale, kemi Qendrën Kulturore, që është në shërbimin tuaj dhe nëse nuk e shfrytëzoni ju, atëherë s’di kush tjetër mund ta bëjë. Ne si individë kemi shënuar suksese, por si shoqëri ende po çalojmë”, tha ajo.

Përfaqësuesit e pesëmbëdhjetë shoqatave (profesionale, kulturore, sportive dhe fetare) që ishin të pranishëm në këtë konferencë debatuan për shumë tema (komunikimi dhe bashkëpunimi, financimi, sigurimet shoqërore, kartoni i gjelbër dhe participimi politik në Zvicër), ku u dakorduan që takimi i dytë rreth unifikimit të shoqatave shqiptare të mbahet në mars të vitit të ardhshëm, pasi që si konkludim të përbashkët nxorën nevojën e debateve të kësaj natyre që ndihmojnë në përafrimin e ideve duke ofruar mundësi të reja njohjeje dhe bashkëpunimi mes shoqatave shqiptare në Zvicër. Konferenca e dytë do të mbahet në fillim të marsit e cila do organizohet nga Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës.

Kthehu mbrapa

Shto koment