Martesat me emigrantët zbrazin shkollat shqipe në Maqedoni

28.08.2015 (komentet: 0)

 

Nga viti në vit shënon rritje numri i lindjeve të foshnjave jashtë vendit dhe sipas të dhënave statistikore, vetëm në vitin 2014 jashtë kanë lindur 4.400 foshnje. Shumica e këtyre 4.400 fëmijëve kanë lindur në vendet ku shqiptarët janë emigrantë, si Zvicra, Italia dhe Gjermania, ndërsa familjet e tyre janë me origjinë nga Gostivari, Struga, Tetova, Vrapçishti, Zhelina, Saraji dhe Likova. Ndërkohë në vitin 2013 në Maqedoni kanë lindur 7.488 foshnje shqiptare.

 

Shkollat fillore nuk mund të formojnë paralele të reja në klasën e parë edhe pse në librat amë të  lindjes vazhdimisht regjistrohen foshnje të sapolindura. Arsyeja kryesore për këtë është trendi shumëvjeçar i mërgimit, për shkak të të cilit në periudhën e fundit gjithnjë e më shumë foshnje të shtetasve të Maqedonisë lindin jashtë vendit. Këtë e konfirmojnë edhe  statistikat zyrtare nga të cilat mund të shihet se për çdo vit me mijëra foshnje lindin nga qytetarët e Maqedonisë në shtete si Zvicra, Italia, Gjermania dhe shtetet përtej oqeanit. Ish drejtori i Entit  të Statistikës, Donço Gerasimovski, thotë se numri i njerëzve që ikin jashtë vendit nga viti në vit shënon rritje. Ai thekson se bëhet fjalë për familje të reja, andaj edhe numri i lindjeve të fëmijëve  jashtë vendit po rritet vazhdimisht. “Duke pasur parasysh se çregjistrimi nga vendi shkon  vështirë, ndërsa punësimet jashtë shtetit regjistrohen si shkuarje të përkohshme, foshnjat  e lindura në shtetet e tjera që marrin shtetësinë e Maqedonisë janë konfirmimi më i mirë se kemi  largim nga shteti”, ka deklaruar Gerasimovski për gazetën “Nova Makedonija”. Sipas tij, është indikative se të dhënat statistikore tregojnë se në 41 komuna në vitin 2014 ka pasur më pak popullatë se në vitin 2013, ndërsa  kjo në  përqindje është 56 për qind e komunave në Maqedoni. Gerasimovski ka theksuar se 50 për qind e rajoneve në Maqedoni po boshatisen dhe zvogëlohet numri i banorëve, ndërsa shënohet rritje negative natyrore. Rritja natyrore është negative në tre rajone, ndërsa në katër ka një rënie që nga viti 2002. Karakteristik është Rajoni i Vardarit, i cili  ka 9 komuna, ndërsa në 7 komuna ka rënie të popullsisë, Rajoni lindor ka 11 komuna, ndërsa në 10 komuna ka ulje të popullatës. “Kështu është edhe në rajonin e Pellagonisë ku në 8 nga 9 komuna ka ulje të popullsisë”, vëren Gerasimovski, ndërsa shton se në Rajonin e Shkupit dhe Pollogut ka rritje të popullatës. Në rajonin Verilindor nga 6 komuna, në 4 ka rritje negative. Vetëm në dy komuna me përbërje etnike të përzier, Kumanovë dhe Likovë, ka rritje pozitive dhe vetëm këtu nuk ka ulje të popullsisë. Në Rajonin jugperëndimor ka 9 komuna, ku 4 janë me rritje negative dhe janë kryesisht të përziera. Në Rajonin e Shkupit ku është e koncentruar një pjesë e madhe e popullatës, në të gjitha komunat ka rritje, përveç në Karposh dhe Kisella Vodë, ku dhjetë vite me radhë ka rritje negative natyrore dhe  këtu popullsia është pakësuar, ka shpjeguar ai. Nga ana tjetër, Gerasimovski thotë se nga viti në vit shënon rritje numri i lindjeve të foshnjave jashtë vendit. “Në vitin 2014 kishte 4.400 fëmijë të lindur jashtë vendit. Shumica e këtyre 4.400 fëmijëve më së shumti kanë lindur në Zvicër, Itali dhe Gjermani, ndërsa familjet e tyre janë më së shumti nga Gostivari, Struga, Tetova, Vrapçishti, Zhelina, Saraji dhe Likova. Për shtetin duhet të jetë një problem aktual fakti se kemi raste kur në  komuna të caktuara ka më shumë fëmijë të lindur jashtë vendit se sa në vend. Për shembull, në komunë  Mavrovë-Rostushë ka më shumë të lindur  në një shtet tjetër se sa në Maqedoni. Gjithashtu kemi raste të tilla edhe në Qendër Zhupë, Pllasnicë, Zajaz, Osllome. Kjo do të thotë se një numër i madh i popullsisë ka shkuar jashtë vendit dhe ato janë  kryesisht njerëz të rinj të cilët largohen”, thotë Gerasimovski. Ai shton se tregues i uljes së natalitetit është edhe fakti se në 8 komuna në Maqedoninë lindore ka ulje të numrit të nxënësve në arsimin fillor, gjegjësisht në klasën e parë. “Numri i nxënësve është ulur në Koçan, Vinicë, Makedonska Kamenicë, Dellçevë, Berovë, Pehçevë, ndërsa në numër masovikisht rritet numri i foshnjave të lindura jashtë vendit”, thekson Gerasimovski. Sociologu Ilija  Açeski gjithashtu ka deklaruar se shqetësues është fakti se në disa rajone dhe komuna, dominon popullsia e moshuar. “Këto të dhëna udhëzojnë se Maqedoninë e pret në të ardhmen përballja me uljen e popullsisë së aftë për punë, ndërsa kjo do të ndikojë në rritje ekonomike dhe zhvillimin e rajoneve. Në përgjithësi, nataliteti shënon një ulje të madhe, ndërsa numri i fëmijëve të lindur jashtë vendit rritet. Kjo sjell deri te fakti se popullata po plaket”, thekson sociologu Ilija Aceski. (F.P)

 Prej 4400 foshnjave, 595 nga Gostivari, 358 nga Struga… 

Një tjetër fenomen sa i takon lindjeve tek pjesa shqiptare është se, gjatë vitit të kaluar – komunat shqiptare kanë edhe numrin më të madh të foshnjave që kanë lindur jashtë vendit. Për shembull, nga gjithsej 4400 bebe të lindura jashtë, nga Gostivari janë 595, Struga 358, Kërçovë 240, Tetovë 316, Vrapçisht 232, Kumanovë 208, Zhelinë 177, Tearcë 110, Likovë 169, ndërsa nga Çari dhe Saraji respektivisht me nga 101 foshnje. Sipas të dhënave statistikore për vitin e kaluar, lindjet në rang vendi janë më të mëdha në numër në rajonin e Shkupit, mbi 8000 të tilla, pastaj vjen Pollogu me mbi 3600 foshnje, ndërsa më pak numërohen në atë të Vardarit.

Në 2013-tën në Maqedoni lindën 7.488 foshnje shqiptare 

Për herë të parë që nga viti 1948-të, lindja nga etnia maqedonase në vitin 2013 u regjistrua se ka rënë nën 50 për qind. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistika, më 2013-të kanë lindur 11.602 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1.088 turq dhe 1.226 romë. Të dhënat tregojnë faktin se mosha mesatare e maqedonasve sa vjen dhe rritet, ndërsa ajo e shqiptarëve është e re./Ina/

Kthehu mbrapa

Shto koment