MAQEDONIA HYN NË SPIRALEN E DHUNËS

09.03.2012 (komentet: 0)

Katër incidente ndëretnike brenda 24 orëve në Maqedoni. Ekstremistët maqedonas nuk pushojnë së ushtruari dhunë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Brenda 24 orëve të fundit në Shkup e Tetovë janë regjistruar katër incidente, rrahje, të karakterit ndëretnik. Burime policore thonë për “Kohën Ditore” se janë zbuluar shtatë persona, të cilët sulmuan autobusin me nxënës shqiptarë, duke lënduar rëndë gjashtë prej tyre, përfshirë këtu dhe një grua joshqiptare

 

Seladin Xhezairi

SHKUP, 9 MARS - Në mbrëmjen e së mërkurës në periferi të Shkupit është sulmuar nga persona të maskuar një autobus me shumicë dërrmuese nxënës shqiptarë. U lënduan 14 nxënës, kurse gjashtë prej tyre janë shtruar në Spitalin e Shkupit,  ku mjekët kanë konstatuar lëndime trupore. “Maskat” me këtë rast nuk kanë kursyer edhe një grua joshqiptare. “Pas kontrolleve mjekësore tre nga këta nxënës janë mbajtur për kurim në spital. Fjala është për njëvajzë, e cila ka lëndime në pjesën e barkut dhe dy djem me lëndime në kokë, dhe tani për momentin janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë në spital, kurse fëmijët e tjerë janë lëshuar për kurim shtëpiak”,-tha dr. Jasmina Çabukovska nga qendra spitalore e Shkupit.

Një zyrtar i lartë i Policisë maqedonase duke folur për “Kohën Ditore” në kushte anonimiteti, tha të enjten pasdite se brenda 24 orëve të fundit ishin regjistruar katër incidente: në tre në Shkup dhe Tetovë të rrahur kishin qenë pjesëtarë të nacionalitetit maqedonas, ndërsa më seriozi ishte ky ku pësuan më shumë shqiptarë. I njëjti burim  saktësoi se policia kishte pasur sukses në zbulimin e shtatë  personave për të cilët dyshohet se ishin ata që në autobusin numër 58 goditën me shkopinje shufra hekuri  nxënësit shqiptarë.I njëjti burim tha për Kohën Ditore se i takon politikës që me veprimet e saj të parandalojë incidentet e këtilla që sa vijnë e po shtohen.

E politika, të enjten, ishte në shenjë të akuzave e kundër akuzave mes Qeverisë dhe opozitës, saktësisht deputetëve  të partive opozitare dhe atyre nga koalicioni qeverisës. Për Ymer Aliun nga Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit,  janë shpeshtuar rrahjet, urrejtjet ndaj shqiptarëve dhe  “viktimë janë ekskluzivisht shqiptarët”, kurse shteti nuk po ndërmerr asgjë për mbrojtjen e tyre.  Izet Zeqiri, nga Rilindja Demokratike Kombëtare e Rufi Osmanit,  duke drejtuar gishtin nga  tabori maqedonas, kërkoi parandalimin e këtyre akteve tëdhunshme: “I bëjmë thirrje proviniencës politike maqedonase të tregohet më koshiente dhe të parandalojë këto akte të dhunsh meqë burimin e kanë në politikë, sepse këto akte kanë fuqinë e çështjes ‘tëjetë apo të mos jetë Maqedonia si shtet stabil dhe demokratik’”,- thadeputeti Zeqiri, duke kërkuar njëherësh nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, “të reflektojë pushtet dhe të vihet në mbrojtje të shqiptarëve, sepse qenia shqiptare është e rrezikuar në aspekt të sigurisë”. 

Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së,duke folur  për “Kohën Ditore” nga selia e BDI-së, në Tetovë, ku Kryesia e kësaj partie diskutoi zhvillimet e  fundit, tha se këto ngjarje nëse nuk parandalohen mund të përfundojnë me pasoja të rënda për tëgjithë: “Jemi mbledhur për të shqyrtuar  situatën e krijuar pas incidentit të mbrëmshëm kur u sulmuan qytetarë të pafajshëm shqiptarë,por edhe ciklin e incidenteve që nga brohoritjet antishqiptare nëpër stadiume e deri tek tragjedia e Gostivarit. Zëvendësministri i Brendshëm, që është nga radhët tona, informoi Kryesinë me detajete ngjarjes dhe masat që ka ndërmarrë e po ndërmerr policia duke identifikuar dhe privuar nga liria tetë persona të dyshuar për këtë incident,”- tha Osmani.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, ka dënuar ashpër incidentet e fundit nëpër autobusët e Shkupit dhe ka bërë thirrje për sjellje serioze, duke shtuar se është jorelevante se cilës bashkësi etnike i takojnë dhunuesit. Dhuna, tha ajo,nuk mund dhe nuk guxon të tolerohet: “Ne i dënojmë ashpër këto akte dhune dhe apelojmë për sjellje serioze. U tregua se dhuna mund të përfundojë tragjikisht dhe për asnjë lloj dhune nuk mund të gjenden arsyetime. Është relevante se cilës bashkësi etnike i takojnë dhunuesit”,- tha Jankulovska, duke bërë të ditur se MPB–ja ka rritur praninë në terren dhe po ndërmerr veprime:“Ka tensione të caktuara ndaj të cilëve duhet të jemi të kujdesshëm dhe të kontribuojmë për qetësimin e tyre. Të gjithë duhet të punojmëpër uljen e tensioneve për të mos ardhur në situatë ku MPB apo Prokuroria apo çdo kush tjetër të vihet në një situatë që të zbatojë masa represive”,- tha ministrja e Brendshme maqedonase.  

Një qasje e tillë e zyrtares së lartë maqedonase është përshëndeture dhe nga Ambasada amerikane në Shkup, e cila ka shprehur bindjen se autoritetet do të zbardhin rastin.Pamjet e paraqitura nga televizioni ALSAT të nxënësve të rrahur dhe reagimi i prindërve të tyre vërtet ishin rrëqethëse.Vëzhguesit, por edhe vetë nxënësit,thonë se ajo që ndodhi ishte e përgatitur mirë. Pyetje shtrohen edhe përse shoferi i autobusit nuk kishte reaguar dhe përse gjithë dramën e“kishte bartur nga njëra ndalesë, stacion, në tjetrën”? “Ne jemi tej mase të shqetësuar se çfarë po ndodh në këtë vend. Si mund të sulmohen fëmijët në mënyrë aq mizore dhe brutale. Ku janë policët që po promovohen se do të jenë tani në çdo cep të kryeqytetit?”- pyeti një prind në mikrofonin e televizionit të sipërpërmendur. Në Shkup, ç’është e vërteta, nga qarqe opozitare nuk përjashtohet mundësia që incidentet e këtilla të jenë  pjellë e “imagjinatës së partisë së kryeministrit Nikola Gruevski” për të  mbytur zhurmën e pritshme nga dështimi i procesit të integrimit euroatlantik dhe sidomos i dështimit të aderimit në NATO, por edhe arsyetim e alibi për, sikundër thuhet, një vale punësimesh të reja,në prag të zgjedhjeve lokale, pikërisht në sektorin e brendshëm.  Sidoqoftë, të gjithë pranojnë se futjes së vendit në atë që quhet spirale e dhunës të gjithë mund t’ia shohin sherrin: edhe pozita, edhe opozita,edhe shqiptarët, po edhe maqedonasit.

Kthehu mbrapa

Shto koment