Maqedoni, ndërkombëtarët apelojnë për qetësi

31.01.2012 (komentet: 0)

Bashkësia ndërkombëtare kërkon uljen e tensioneve dhe zbardhjen e incidenteve që ditëve të fundit kanë ndodhur në rajonin e Strugës, informon agjencia e lajmeve INA.

 

Zyra e Bashkimit Evropian në Shkup ka kërkuar që të ulen tensionet ndëretnike dhe ndërfetare, pas incidenteve të fundit që pasuan me përqeshjen e fesë islame dhe myslimanëve në Karnevalin e Vevçanit dhe pas incidenteve në dy kisha nëpër fshatrat e Strugës.

BE kërkon gjithashtu që autoritetet qeveritare të zbardhin incidentet e fundit dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët e këtyre akteve.

Zyrtarë të lartë të BE-së në Shkup në një prononcim për REL kanë theksuar se marrëdhëniet e mira ndëretnike janë thelbi kryesor në një shtet, duke nënvizuar me theks të veçantë frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Gjithashtu edhe OSBE ka ndërmarrë masa dhe po analizon situatën në terren në rajonin e Strugës. Përfaqësues lokal të OSBE apelojnë që të ulen tensionet dhe qetësimin e situatës.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) kërkon që institucionet qeveritare me seriozitet maksimal të përkushtohen në parandalimin e skenarëve të fundit në rajonin e Strugës dhe të krijojnë besimin për uljen e tensioneve dhe realizimin e një projekti për rikthimin e marrëdhënieve ndëretnike në nivelin më të lartë të tyre.

“Në këto situata shihet qartë se ka tendenca për rrënimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare. Skenarët e tilla nuk janë të rastësishme, por ato gjenerohen nga qendra të caktuara që dëshirojnë tensionim dhe tendosje të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe në planin e marrëdhënieve ndëretnike. Institucionet si në nivel lokal ashtu edhe qendror duhet të dëshmohen në luftimin e këtyre skenarëve që paraqesin dhe kanë si synim regresin e vendit dhe thellimin e proceseve euroatlantike”, theksohet në një prononcim të OBRIE për agjencinë e lajmeve INA në Shkup. /ina/

Kthehu mbrapa

Shto koment