Malmstrom: Udhërrëfyesi, më së voni në pranverë

21.01.2012 (komentet: 0)

Komisionerja Evropiane për çështje të brendshme, Cecilia Malmstrom, në ditën e dytë të qëndrimit të saj në Kosovë, të premten ka vizituar shkollën fillore “Selman Riza” në Fushë-Kosovë, shkollë kjo në të cilën e vazhdojnë mësimin fëmijët e kthyer të komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjipas.

Më pastaj ajo ka vizituar edhe organizatën “The Ideas Lidership” përmes së cilës fëmijëve të komunitetit RAE u ofrohet mësim për aftësimin e gjuhës angleze.

Sa i përket udhërrëfyesit ajo ka thënë se shpreson që gjatë pranverës ai t’i dorëzohet qeverisë së Kosovës.

“Ne e kemi lansuar dialogun dhe ky është përkushtimi nga ana e Evropës për të punuar me Kosovën për të arritur këtë. Udhërrëfyesi është mjet teknik që tregon se çfarë duhet të bëhet, por një pjesë e madhe e punës tashmë ka filluar në qeverinë e Kosovës. Ne jemi duke punuar në këtë udhërrëfyes dhe do të arrijë më vonë në pranvere, por puna për të arritur këtë qëllim të përbashkët tashmë ka filluar”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Malmstrom, gjatë vizitës në Fushë-Kosovë, shoqërohej nga zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, i cili informoi komisioneren lidhur me procesin arsimorë për fëmijët e kthyer. Riatdhesimi dhe ripranimi konsiderohen ndër kushtet kryesore që mundësoi fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave dhe gjithashtu mbesin kriter edhe në procesin e mëtejmë. /rtv21/

Kthehu mbrapa

Shto koment