Lunaçek: S'ka viza - Kryeministri ka thyer premtimin

21.01.2014 (komentet: 0)

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, kritikoi institucionet e Kosovës për vonesën e reformës zgjedhore. Në një konferencë për media në Prishtinë, për sa i përket reformës zgjedhore, ajo tha se kryerja e reformës është vonuar shumë edhe pse janë dhënë premtime të mëdha nga institucionet, por ata premtime janë thyer, janë thyer edhe nga kryeministri Thaçi. Liderët tuaj më kishin premtuar se kjo të ndodhte pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare në 2010, tha ajo: “Sa herë që kam ardhur këtu, përfaqësuesi e qeverisë më kanë thën

ë se reforma zgjedhore është e rëndësishme. Vetë kryeministri pati premtuar se reforma zgjedhore do të përfundojë para verës dhe kjo ende nuk ka ndodhur. Ky është premitm i thyer. Reforma është dashur të përfundojë deri më tani dhe kam frikë se deri në zgjedhjet e ardhshme, reforma do të jetë shumë e vogël dhe nuk do të jetë reformë e vërtet zgjedhore. ”

Ajo theksoi se kështu si po zhvillohen ngjarjet, nuk do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët as në dy tre vitet e ardhshme:

“Nuk jap data, sepse nuk e di, as Komisioni Evropian nuk e di. Nuk do të bëhet në këtë vit, kjo mund të ndodhë pas një, dy apo tri vitesh, nuk e di se kur. Shpresoj që do të bëhet brenda dy apo tri vitesh” u shpreh eurodeputetja austriake.

Lunaçek u shpreh në favor të zgjatjes së vendeve të rezervuara për serbët.  Ajo tha se “një gjë e tillë do të mund të integronte serbët e veriut”, por shtoi se “vendimi për vazhdimin ose jo të ulëseve të rezervuara, duhet të merret nga vet deputetët apo përfaqësuesit partive politike, pa rënë pre e presioneve nga jashtë”.

“Kushtetuta e Kosovës garanton 10 vende të ulëseve të rezervuara në Kuvendin e Kosovës. Serbët duhet ta kenë të qartë se me ose pa vende të rezervuara, ata në Kuvendin e Kosovës gjithmonë do t’i kenë dhjetë vende të garantuara me Kushtetutë”, tha ajo.

Lunacek përsëriti qëndrimin se Kosova duhet të bëjë me shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Kthehu mbrapa

Shto koment