Lambsdorff ‘këshillon’ Kurtin të mos i bllokojë kufijtë

01.02.2012 (komentet: 0)

Vetëvendosja ka të drejtë të protestojë, por bllokimi i kufirit nuk i sjell asgjë të mirë Kosovës. Përkundrazi vetëm e dëmton atë. Kështu ka thënë sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane, Nikolaus Graf Lambsdorff, pas takimit që ka patur në Berlin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti.




I pyetur nga Deutsche Welle se cili ishte qëllimi i këtij takimi me politikanin, i cili kohët e fundit ka rënë në sy me aksionet e tij për bllokimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, Lambsdorff ka thënë se Kurti është një prej politikanëve udhëheqës opozitarë në Kosovë, partia e tij është e përfaqësuar në parlament dhe ka pasur dëshirë të informohet për qëndrimet e tij politike ndaj Republikës së Kosovës, për qëndrimet e tij lidhur me raportet me Serbinë dhe me Bashkimin Evropian.

“Kjo është një gjë normale, mua më intereson të dëgjoj edhe prej politikanëve të tjerë. Kurti është natyrisht një rast i posaçëm sepse partia e tij dhe ai vetë bëjnë opozitë jo vetëm në parlament, por edhe jashtë tij”.

I pyetur se a ka ndonjë ‘recetë’ Berlini zyrtar për zgjidhjen e problemeve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Lambsdorff ka thënë se ‘një recetë’ ndoshta nuk ekziston, por ekziston dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Kjo është tani për tani mundësia më e mirë që kemi. Prandaj duam që ky dialog të vazhdojë. Nuk e di nëse kjo do të ketë sukses në të gjitha fushat, por të dyja palët duhet të tregojnë vullnet të mirë për të arritur zgjidhje”.

“Për zotin Kurti dhe njerëzit e tij, kjo nuk është e pranueshme. Ata më shumë po bëjnë një politikë opozitare fundamentale dhe kritikojnë të gjitha marrëveshjet që qeveria në Prishtinë po përpiqet të arrijë me qeverinë në Beograd. Një parti opozitare ka të drejtën ta bëjë këtë, por bllokimi i kufirit nuk i ndihmon askujt”, ka thënë ndër të tjera Lambsdorff. 

Kthehu mbrapa

Shto koment