Kuvendi i Serbisë miraton raportin e qeverisë për marrëveshjen me Kosovën

27.04.2013 (komentet: 0)

Deputetët e Kuvendit të Serbisë e miratuar sonte, pas debatit gjithë ditor, raportin e qeverisë për negociatat në Bruksel ndërmjet Beogradit e Prishtinës ku është përfshirë edhe marrëveshje e firmosur më 19 prill nga kryeministrat Daçiq e Thaçi. Pro raportit të qeverisë votuan 173 deputetë serb, kundër ishin 24, një abstenojë, kurse pesë deputetë nuk kanë votuar. Raportin e kanë mbështetur partitë në pushtet dhe partitë e opozitës me përjashtim të Partisë Demokratike të Vojisllav Koshtunicës dhe disa deputetëve të partive tjera.

Në fund të debatit dhjetë orësh i përshkruar me polemika të shumta, me akuza e kundër akuza për atë se kush është tradhtar e kush patriot, se kush e ka mbrojtur e kush e ka shitur Kosovën dhe interesat kombëtare, kush e ka sjellë vendin në këtë gjendje, të zhvilluar kryesisht midis deputetëve të partive në pushtet dhe të opozitës e veçmas të demokratëve të Koshtunicës, kryeministri Ivica Daçiq në mbyllje, pasi dha përgjigje në shumë pyetje e bëri edhe disa kritika, apeloj tek deputetët që megjithatë të gjithë ta mbështesin këtë raport dhe marrëveshjes e firmosur.

Ai në fillim të debatit tha në parlament se marrëveshja e Brukselit është rast që Serbia të provojë në mënyrë tjetër t’i mbrojë interesat e veta kombëtare e shtetërore, e jo të kremtojë disfatat.
Daçiq tha se kjo është më së shumti që është mundur të arrihet. Me marrëveshje është mundësuar edhe vazhdimi i integrimeve evropiane i cili për popullin tonë është me rëndësi esenciale Kemi hapur hapësirë që mbi Kosovën të bisedohet mbi baza të barabarta, me pëlqimin e presidentit të Serbisë, prandaj edhe është i rëndësishëm pëlqimi i parlamentit tha Daçiq duke e arsyetuar raportin e qeverisë.

Daçiq rekomandoj në fjalën e vet se Serbia me marrëveshjen e Brukselit nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, as që ka kapitulluar dhe ceku se refuzimi i kësaj marrëveshje ka mundur të përfundojë me “stuhinë e Kosovës”. “Kjo është zgjidhje e përkohshme, në situatën e dhënë dhe më shumë që është mundur në kuadrin në të cilin është arritur marrëveshja në Bruksel”, tha Daçiq duke shtuar se Serbia duhet ta vazhdojë luftën për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës.

Duke përsëritur se marrëveshja është më së shumti që ka mundur ta arrijë Serbia në këtë moment, Daçiq tha se nëse do të silleshim ndryshe mund ta humbim edhe atë që realisht e kemi fituar. Ai tha se alternativa ka qenë braktisja e negociatave dhe bllokimi i procesit, izolimi i vendin, mungesa nga forumet ndërkombëtare, dhe rezultat i kësaj do të ishte eksodi i serbëve.

“Prandaj, me këtë kemi mundësuar vazhdimin e integrimeve evropiane që për shtetin dhe popullin tonë janë të rëndësishme dhe shton se me këtë marrëveshje, askush nuk ka humbur as fituar, sepse procesi i zgjidhjes së nyjës së Kosovës do të jetë i gjatë dhe i rëndë”, tha ai.

Daçiq tha se “neve në këtë moment na është ndarë përgjegjësia historike dhe nuk mund të ikim nga ajo, dhe jam i bindur se për momentin nuk kemi mundur më mirë” dhe shtoi se qeveria është e gatshme të shkojë edhe në referendum për mbështetjen ose jo të këtij dokumenti, nëse ky parlament e konsideron këtë si të arsyeshme, ama duhet të keni parasysh se referendumi vetëm do të shkaktojë përçarje më të mëdha.

Ai theksoi se Serbia me vite nuk e ka Kosovën, nuk e ka ushtrinë, policinë kurse institucione kemi në një pjesë të vogël të Kosovës dhe shteti do t’i ruaj ato, por nënvizoj se Serbisë i duhet të jetojë e jo të sakrifikojë.

Kthehu mbrapa

Shto koment