Kushti gjerman: Serbia ta njohë Kosovën

08.10.2012 (komentet: 0)

Serbia në fund të negociatave për anëtarësim në BE, do të duhet të japë një përgjigje të qartë në drejtim të pavarësisë dhe njohjes së Kosovës. Unë jam i vetëdijshëm se procese të caktuara marrin më shumë kohë. Megjithatë, duhet ta njohë realitetin që lufta e ka prodhuar. Serbia duhet të përqendrohet në sfidat e ardhshme, të tilla si globalizimi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka thënë Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për Çështje të BE-së në Parlamentin e Gjermanisë dhe zyrtar i partisë në pushtet, Unionit Kristiano-Demokrat (CDU).

Gunther Krichbaum
 
 

 

“Çdo vend që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet të ketë marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Grupi parlamentar i CDU-së së Angela Merkelit dhe Unionit Kristiano-Social, të cilit grup i takoj unë në Bundestag, dëshiron që para përfundimit të negociatave të përcaktohen qartë raportet e mira fqinjësore midis Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë ai për ditoren serbe “Danas”. “Tash kërkohen më shumë përmbushjet e kritereve, sidomos pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë. Edhe Kroacia është dashtë që të përmbushë kushtet që i janë parashtruar. Se sa ishin të suksesshme përpjekjet e Serbisë, këtë do ta thotë në ditët e ardhshme raporti i Komisionit Evropian”.

Në pyetjen nëse kjo do të thotë se Beogradi duhet njohë de facto apo de jure pavarësinë e Kosovës, diplomati gjerman pyet: “Ku është dallimi këtu”!? Ndërsa, në reagimin e gazetarit se për Serbinë ekziston dallimi dhe nëse ekziston mundësia e përdorimit të modeleve të dy Gjermanive, Krichbaum shton: “Edhe Gjermania ka humbur territore pas Luftës së Dytë Botërore. Kufijtë e Gjermanisë më 1937 ishin ndryshe nga sot. Tani është e rëndësishme që qytetarët të jetojnë në paqe, në demokraci dhe shtetin ligjor”. /Telegrafi/

 

Kthehu mbrapa

Shto koment