Kryeministri Berisha sot viziton Gjakovën e Deçanin

12.10.2012 (komentet: 0)

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha do të zhvillojë të premten një vizitë në Gjakovë dhe në Deçan, në Kosovë.

Zyra e shtypit e Qeverisë njoftoi se kjo vizitë bëhet në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar në të gjitha trevat shqiptare. Berisha, së bashku me autoritetet më të larta të Kosovës, do të jetë i pranishëm në ceremonitë e vendosjes së shtatoreve të patriotëve shqiptarë në Gjakovë dhe Deçan. Fillimisht, kryeministri shqiptar do të ndalet në komunën e Gjakovës, ku në prani të presidentes Atifete Jahjaga dhe autoriteteve vendore, do të zhvillohet ceremonia e zbulimit të shtatores së patriotit Ali Ibra, në qendër të këtij qyteti.

Sipas protokollit të Kryeministrisë së Shqipërisë, Berisha më pas do të vizitojë Deçanin, ku do të nderojë kujtimin e luftëtarëve të UÇK-së në memorialin kushtuar UÇK-së, në Gllogjan, do të bëjë një vizitë në familjen Haradinaj, si dhe do të vendosë buqeta me lule pranë shtatoreve të heronjve Luan Haradinaj e Sali Çeku.

Në një ceremoni të veçantë, kryeministri shqiptar do nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Deçanit, dhënë nga kjo Komunë. Në këtë ceremoni do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Berisha e Thaçi do të vazhdojnë më pas në fshatin Isniq të Deçanit, ku do të jenë të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të shtatores së heroit Isa Boletini.

Kryeministri Berisha do t’i drejtohet me një fjalë qytetarëve të Gjakovës dhe Deçanit, ku do të shprehë ndjenjën e krenarisë dhe përuljes në këtë 100 vjetor të pavarësisë së Shqipërisë, para kontributit të shquar dhe sakrificave të të gjithë patriotëve shqiptarë, kudo, në ngjarjen më të madhe të historisë moderne shqiptare. 

Kthehu mbrapa

Shto koment