Kroacia kërkon drejtësi: Ja dëshmitë e krimeve të tmerrshme që serbët kryen ndaj kroatëve

06.03.2014 (komentet: 0)

Vrasja brutale me armë të ftohta, dhunime të grave dhe burrave në kampe, tortura me elektroshok, kastrime, punë e detyruar... janë dëshmitë për synimin për gjenocid të Serbisë ndaj popullatës kroate.

“Krimet nuk kishin qëllim ushtarak, por ishin të drejtuara në mënyrë sistematike ndaj kroatëve të pafajshëm, të motivuara nga urrejtja dhe dëshira për spastrim etnik”, ka thënë kryesuesja e ekipit kroat të drejtësisë, profesoresha Vesna Crnic-Grotic, në gjykimin e Serbisë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë. "Këto fakte vet flasin. Vrasjet, torturat, përdhunimet ishin rregulli i fushatës gjenocidale serbe”.

Duke theksuar se për shkak të frikës, traumave dhe turpit të viktimave nuk dihet numri i saktë i të dhunuarve, Crnic-Grotic këshillit 17-anëtarësh ia ka prezantuar disa raste të dhunimit të shumëfishtë grupor që kanë bërë anëtarët e Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (APJ), milicisë së Krajinës dhe strukturave paraushtarake serbe.

“Hajde ustashe, tash do të shohësh se si e bëjnë këtë serbët”, i kanë thënë një të reje nga Vukovari anëtarët e Mbrojtjes Territoriale, të cilën e kanë përdhunuar para vajzës gjashtëvjeçare e cila po ashtu ishte abuzuar seksualisht, raporton TPortal, transmeton Telegrafi.

Dhuna seksuale u zhvillua para syve të anëtarëve të familjes, kështu që një banore e Sotinit dhunohet para vjehrrës dhe fëmijës dyvjeçar, ndërsa vullnetari serb një grua nga Bapska e detyron në marrëdhënie seksuale duke e kërcënuar se do t’ia dhunojë nënën 91-vjeçare.

Një grup i paramilitarëve serbë, para prindërve dhe fëmijëve, ka dhunuar një grua në Dale e cila mbeti shtatzënë dhe lindi një fëmijë, ndërsa të burgosurat në Vukovar janë detyruar që të rregullohen dhe të vënë parfume që të “jenë të bukura për dhunuesit”.

Nga dhuna seksuale dhe torturat nuk janë kursyer as burrat. Kështu, tre banorë të Tovarnikut janë tredhur me thika, ndërsa ushtarëve kroatë në Kusonj testikujt ua lidhin me tela.

“Kemi ulëritur si kafshë dhe kemi rënë në shok, derisa ata qeshnin dhe thoshin: ‘Ende, ende’ dhe ‘shih se si ngrihet’”, thuhet në një deklaratë të një të burgosuri në burgun e Kninit, të cilit luftëtarët serbë ia lidhën testikujt në elektroda.

Tortura vazhdon në burgjet dhe kampet serbe në Kroaci, në Serbi dhe pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, ku përfundojnë 7,700 kroatë nga territoret e pushtuara që ishin rrahur për vdekje, ishin torturuar me elektroshok, me zinxhirë, kondakët e pushkëve, shufra druri dhe metali, e të cilët i janë nënshtruar edhe punës së detyruar.

“Disa janë zhdukur brenda natës dhe nuk janë parë më”, ka thënë Crnic-Grotic, duke deklaruar se disa të burgosurve në kampe u janë hequr dhëmbët e gojëve të përgjakura u kanë hedhur krip.

Njërit nga Vukovari në Veleproment ia prenë duart, e të tjerëve kokat, derisa të burgosurit në Dërnish ishin të detyruar të lëpijnë çizmet e rojeve burgu, ndërsa ata në Korenicë u detyruan ta dhunojnë njëri-tjetrin.

“Serbia nuk mund të mohojë këto fakte që tregojnë qartë se të burgosurit ishin subjekt i abuzimit sistematik në disa kampe serbe përqendrimi, vetëm për shkak se ata ishin kroatë”, theksoi Crnic-Grotic.

Kthehu mbrapa

Shto koment