Kosove-Serbi, në Bruksel u bisedua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve

23.02.2014 (komentet: 0)

PRISHTINE - Delegacioni i kryesuar nga zv/kryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, njëherësh udhëheqëse për zbatimin e marrëveshjes për normalizim, mori pjesë në takimin e radhës të grupit për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së dhe ku u diskutua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve.

Kosove-Serbi, në Bruksel u bisedua për çështjen e sigurimeve kufitare të automjeteve


Takimi u zhvillua në mes të delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të BE lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje kornizë për çështjen e sigurimeve kufitare për automjete. Mundësia e arritjes së kësaj marrëveshje në mes të përfaqësuesve të industrisë së sigurimeve të përfaqësuara nga institucioni përgjegjës Byroja Kosovare e Sigurimeve dhe institucionit homolog të Serbisë, do të kontribuoj në masë të madhe në uljen e çmimeve të sigurimeve kufitare dhe njëkohësisht edhe lehtësoj lirinë e lëvizjes në mes të dy shteteve fqinje, theksojnë burimet qeveritare në Prishtinë. 
Sipas njoftimit zyrtar dërguar nga Kryeministria kosovare, është vlerësim i ndërsjellë i delegacionit të Kosovës dhe ndërmjetësve të BE që një zgjidhje më permanente për uljen e çmimeve dhe lehtësimin e kalimeve kufitare duhet të jetë synim i përbashkët. Prandaj edhe ky takim ka qenë i frytshëm në arritjen e pajtueshmërisë së palëve në dialog që pritet të rezultojë me arritjen e një Memorandumi të Mirëkuptimit në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës si përfaqësues legjitim i industrisë së sigurimeve, dhe Asociacionit të Sigurimeve të Serbisë, dhe u hartua një draft fillestarë i kësaj Marrëveshje. 
Palët po ashtu u dakorduan edhe për hapat e mëtutjeshëm lidhur me arritjen e marrëveshjes, ku ndërkohë do të zhvillohen diskutime për ligjet përkatëse të dyja shteteve dhe dokumente tjera shtesë, që në ditët në vijim të plotësohet marrëveshja me elementet e parapara si nga industria e sigurimeve e po ashtu edhe nga rregullat ndërkombëtare të paraqitura nga Këshilli i Byrosë së Kartonit të Gjelbër me seli në Bruksel dhe nga dokumenti i Kretës ku përfshihen rregulla të vendeve në lidhje me sigurimet e automjeteve. 
Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga zv/kryeministrja Edita Tahiri, kishte në përbërje Qemajl Marmullakajn nga Zyra e Kryeministrit e koordinator për çështjen e sigurimeve të automjeteve dhe delegacionin nga Byroja e Sigurimeve të Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment