Komisioni Parlamentar i Kosovës po qëndron në Luginë

10.03.2015 (komentet: 0)

 

 

Përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, pranë Parlamentit të Kosovës , të kryesuar nga drejtuesi i tij, deputeti Nait Hasani, kanë nisur vizitën e tyre zyrtare dyditëshe në Luginën e Preshevës.

 

 

Në takimin e parë të zhvilluar në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Bujanoc, kryetari i këtij organi Jonuz Musliu, fillimisht deputetët e Kuvendit të Kosovës i njoftoi me përbërjen dhe funksionimin e Këshillit.

 

Më tej, delegacioni në fjalë u njoftua me problemet e shqiptarëve në Serbi, veçanërisht mungesa e teksteve shkollore në të gjitha nivelet e arsimit, shpejtimi i procesit të njohjes së diplomave universitare dhe angazhimin konkret lidhur me lejimin e përdorimit të teksteve shkollore nga Kosova dhe Shqipëria, raporton portaliTitulli.com.

 

Deputeti nga Kosova Nait Hasani theksoi që kjo është vizita e parë zyrtare në vendbanimet shqiptare në Luginë të Preshevës, prandaj shprehu përkushtimin e tij për zgjidhjen e këtyre problemeve në kuadër të punëve që bën Komisioni i arsimit dhe angazhimin e tërësishëm të institucioneve të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

 

Pas takimit të zhvilluar në selinë e KKSH-së, përfaqësuesit në fjalë, të shoqëruar edhe nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, janë takuar edhe me deputetët popullor në parlamentin republikan.

 

Në takim e dytë me deputetët nga Lugina e Preshevës, Riza Halimin e Shaip Kamberin, është biseduar për gjendjen e arsimit shqip në Luginë i cili po ballafaqohet me probleme të shumta, ndërsa në veçanti në fokus të bisedës ka qenë çështja e njohjeve të diplomave.

 

Deputetët shqiptarë, me këtë rast, kanë kërkuar nga mysafirët kosovarë që kjo çështje të ritheksohet sërish në bisedimet e Brukselit midis zyrtarëve të Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të gjendet një zgjidhje adekuate për të rinjtë e Luginës që kanë përfunduar studimet në Universitetet e Kosovës.

 

Gjatë qëndrimit në Luginë, përfaqësuesit e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport pranë Parlamentit të Kosovës do të takohen edhe me krerët e Bujanocit dhe Preshevës, do të vizitojnë disa shkolla, ndërsa vizita e tyre përfundon me takime në komunë të Medvegjës.2lonline

Kthehu mbrapa

Shto koment