Kinezja dëmshpërblehet për abortimin e dhunshëm

12.07.2012 (komentet: 0)

Pekin – Zyrtarët kinezë kanë arritur një marrëveshje për një dëmshpërblim prej 70.600 juanë kinezë (apo rreth 9.020 euro) me familjen e një gruaje e cila ishte detyruar që t’i nënshtrohej një abortimi të vonë ngaqë ajo nuk do të ishte në gjendje që të paguante një gjobë për shkeljen e politikave shumë të rrepta të vendit për kontrollimin e lindjeve.

Rasti i ndodhur në Ankang të provincës së Shanxit, pati shkaktuar zemërim të madh në mbarë vendin pas publikimit të një fotografie të Feng Jianmeit pranë trupit të embrionit të saj shtatëmuajsh. Bashkëshorti i Fengut, Deng Jiyuan, më parë kishte planifikuar që të ndërmerrte masa ligjore, por ai i ka thënë agjencisë së lajmeve “Associated Press” të mërkurën se qeveria është pajtuar t’i paguajë familjes 70.600 juanë dëmshpërblim. Ai ka thënë se familja e tij tani dëshiron t’i kthehet jetës normale, larg vëmendjes së publikut.

Abortimet e detyruara janë të paligjshme në Kinë, por familja ka rënë nën trysni të madhe pasi ka folur publikisht për rastin. Të afërmit e tyre kanë thënë se janë ndjekur, se janë shqetësuar dhe se janë denoncuar si tradhtarë të shtetit pasi kanë folur për mediet e huaja.

Autoritetet në qytetin e Ankangut më vonë kanë njoftuar se kanë pushuar nga puna dy zyrtarë për shkak të rastit kontrovers, dhe se u kanë dhënë pesë të tjerëve vërejtje zyrtare.

Deng ka thënë se bashkëshortja e tij ishte mbuluar, ishte futur me forcë në një veturë dhe ishte injektuar dhunshëm për të shkaktuar abortimin, sepse ata nuk mund të paguanin gjobën prej 40.000 juanë që parashihet për familjet që bëjnë një fëmijë të dytë pa leje.

I pyetur nëse familja është e kënaqur me marrëveshjen e arritur me qeverinë, motra e tij, Deng Jicai, i ka thënë gazetës së përditshme britanike “The Guardian” se “bën edhe kështu, por jo gjithçka mund të matet me para”.

Zhang Kai, avokat i familjes, ka thënë se zyrtarët e kanë përshkruar pagesën si ndihmë, në vend se ta quanin atë dëmshpërblim. “Vetëm 70.000 juanë për jetën e një personi? Kjo është shumë pak”, ka shtuar avokati.

Por, aktivistët, përfshirë Bob Fu nga grupi për të drejta të njeriut “ChinaAid”, me seli në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se asnjë shumë parash nuk mund t’i kompensojë vitet e padrejtësive që gjoja kanë rezultuar nga politikat e dhunshme të planifikimit familjar në Kinë.

“Puna është se ka qindra e mijëra raste si të Feng Jianmeit që ndodhin çdo ditë. Abortimet e detyruara, edhe në javët e fundit, nga rastet që kemi dëgjuar, janë shumë, shumë të tmerrshme. Përvojat e disa femrave janë më të rënda se ajo e Feng Jianmeit”.

Rasti ka ndihmuar që të ngjallë një debat të madh për politikën “një fëmijë”. Hulumtuesit qeveritarë dhe ekspertët e tjerë i kanë bërë thirrje autoriteteve që t’i lehtësojnë kufizimet.

(The Guardian)

Kthehu mbrapa

Shto koment