KINEMAJA SHQIPTARE PËR FËMIJË RIKTHIM I SUKSESHËM NË FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË FILMIT GIFFONI

03.09.2015 (komentet: 0)

 

 

Kinemaja shqiptare për fëmijë dhe të rinj është rikthyer këto ditë fuqishëm në skenën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Giffoni, edicioni i 45-të i të cilit zhvillohet në Itali në datat 17 – 26 Korrik 2015. Filmi shqiptar u përfaqësua nga kortometrazhi ‘Skuadra’ me regji të Artan Minarollit dhe protagonist të riun e talentuar Samuele Vargu dhe nga filmi ‘Amaneti’ (‘The Last Wish’) me autor Namik Ajazin, vepra të paraqitura në Fokusin e posaçëm kushtuar kinematografisë sonë.

 

Vecanarisht mbresëlënës filmi "Skuadra", që rrëfen historinë e një grupi fëmijësh që enden nëpër rrugët e kryeqytetit shqiptar, në kërkim të një hapësire për ta parësore dhe elementare: një sheshi për të luajtur. Kërkim jo i lehtë në një qytet ku parkimet e automjeteve dhe ndërtimet pa kriter kanë uzurpuar të gjitha hapësirat publike. Fëmijët këmbëngulës e gjejnë më në fund një parkim të shkretuar dhe fillojnë aty lojën me top. Kur roja i parkingut, i pavëmendshëm për praninë e tyre i mbyll ata brenda me dryn, fëmijët arrijnë të dalin vetëm në sajë të zgjuarsisë së tyre.

Festivali Giffoni është një prej tempujve ndërkombëtarë të kinemasë për fëmijë dhe të rinj. I themeluar në vitin 1971 nga një ide e Claudio Gubitosit, festivali ka synuar që herët të promovojë dhe të bëjë të njohur kinemanë për fëmijë dhe adoleshentë, duke e ngritur atë në rangun e një zhanri të mirëfilltë cilësor, të aftë të përballet me kërkesat e tregut.

Robert De Niro, Roman Polanski, Meryl Streep, John Travolta, Meg Ryan, Danny de Vito, Naomi ëatts, Christina Ricci, ëinona Ryder, Susan Sarandon, Samuel L. Jackson janë vetëm disa nga emrat e mëdhenj të artit kinematografik botëror që kanë marrë pjesë si të ftuar në Festivalin Giffoni, gjatë këtyre mbi dyzet viteve veprimtarie. Ndër ta edhe regjizorja e madhe shqiptare Xhanfise Keko, që ka çuar në Festival dy kryevepra të kinemasë për fëmijë dhe adoleshentë si ‘Beni ecën vetë’ dhe ‘Tomka dhe shokët e tij’, pjesëmarrje të nderuara me çmime nga juria e festivalit.

Të ftuarit me emër nuk kanë munguar në Giffoni as gjatë edicionit të fundit. Mes tyre spikaste emri i aktorit të njohur Tom Felton, protagonist i sagës së famshme të Herry Potterit (ku aktori luan rolin e Draco Malfoit) si edhe ai i yllit hollivudjan Orlando Bloom.

Edicioni i 45-të i Festivalit Giffoni i titulluar “Carpe Diem” karakterizohet nga pjesëmarrja e plot 3600 anëtarëve të jurisë, fëmijë dhe të rinj me moshë nga 3 deri në 18 vjeç, me prejardhje nga rreth 50 vende të botës. Ata do të vlerësojnë filmat që konkurojnë në seksionet e ndryshme të veprimtarisë dhe do të marrin pjesë në paraqitjet e programuara. Festivali parashikon këtë vit shfaqjen e 156 filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë, të përzgjedhur pas një konkurrimi të fortë mes 4200 produksioneve të seleksionuara paraprakisht.

Një vend të veçantë në eventin e madh kinematografik ju kushtua këtë vit edhe kinemasë shqiptare, përmes organizimit të një fokusi të posaçëm, që arriti të bëjë për vete publikun e festivalit. Në qendër të vëmendjes dhe të duartrokitjeve të pjesëmarrësve ishte kortometrazhi i lartpërmendur ‘Skuadra’ i Artan Minarollit, me protagonist të riun e talentuar Samuel Vargu, një metaforë e bukur që tërheq vëmëndjen drejt tematikës së rëndësishme të zhvillimit jo përherë të ekuilibruar në shoqërinë tonë bashkëkohore./kokaj.net/

Kthehu mbrapa

Shto koment