Kërkohet Lidership për "Temat e Komplikuara"

21.08.2012 (komentet: 0)

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, mirëpret gatishmërinë e presidentit serb, Tomislav Nikoliq, për “biseda të mëtejme me lidershipin e Prishtinës” dhe thotë se kërkohet lidership i fuqishëm dhe vizion nëse hapen tema më të komplikuara në këtë dialog. Të martën në New York, mund të shënohet kontakti i parë simbolik ndërmjet Hashim Thaçit e Ivica Daqiçit. Sekretari i Përgjithshëm i

Pamje nga një mbledhje e mëhershme e Këshilli të Sigurimit për KosovënPamje nga një mbledhje e mëhershme e Këshilli të Sigurimit për Kosovën

nga  Faton Osmani

 OKB-së, Ban Ki-moon, kërkon “lidership të fuqishëm dhe vizion” nëse tema më të komplikuara do të diskutohen në fazën e ardhshme të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në një raport para mbledhjes së të martës të Këshillit të Sigurimit, në të cilën do të jenë të pranishëm dhe kryeministrat e dy vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq  


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të martën diskuton për zhvillimet në Kosovë, për periudhën tremujore 16 prill - 15 korrik. 

Në mbledhje marrin pjesë dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Ky do të jetë rasti i parë që Thaçi dhe Daçiq do të ndodhen në të njëjtin vend, prej zgjidhjes së këtij të fundit në krye të qeverisë serbe. Ka pasur paralajmërime se pikërisht në margjinat e mbledhjes së KS-së mund të ndodhë një shtrëngim i parë simbolik i duarve ndërmjet dy kryeministrave.

Në raportin e tij përpara KS-së, që është i qasshëm në faqen e kësaj organizate, sekretari Ban uron Tomislav Nikoliqin për zgjedhjen president i Serbisë dhe pret që ai të angazhohet në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun me Prishtinën.

Ban mirëpret edhe deklaratat e Nikoliqit, me të cilat ai shprehej “i gatshëm të përfshihet në biseda me lidershipin e Prishtinës në të ardhmen”. 

“Besoj se ky shembull do të ndiqet nga të gjithë liderët serbë të përfshirë në krijimin e Qeverisë së Serbisë. Një përkushtim i vullnetit të mirë për vazhdimin e dialogut edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina do të kontribuonte në arritjen e progresit të prekshëm në të ardhshmen e afërt”, thotë Ban.

Kohës së fundit, deklaratat në lidhje me biseda të nivelit më të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit janë shpeshtuar. Ato kanë përfshirë edhe deklarime nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daqiq, të cilët do të jenë të dytë të pranishëm në seancën e Këshillit të Sigurimit, të martën në mëngjes.  

Organizata joqeveritare dhe parti politike kanë paralajmëruar se, në vigjilie të këtyre diskutimeve, edhe koalicioni qeveritar në Kosovë mund të zgjerohet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të forcuar pozitën negociuese. 

“Lidership i fuqishëm dhe vizion do të kërkohet nëse tema më të komplikuara do të diskutohen në fazën e ardhshme të dialogut”, thotë ndërkaq, Ban, në raportin e tij për KS të OKB-së.

Në raport vlerësohet mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë dhe për këtë Sekretari Ban falënderon “pjekurinë e lidershipit politik të të gjitha palëve”. 

Ban thotë se është i kënaqur që janë parë rezultate konkrete nga disa marrëveshje të arritura gjatë dialogut, por nënvizon shqetësimin e tij me vështirësitë në zbatimin e pjesë tjetër të marrëveshjeve të arritura. 

“I ftoj të gjitha palët të demonstrojnë qasje kontruktive në tejkalimin e këtyre problemeve dhe ftoj ndërmjetësit të rrisin vëmendjen dhe burimet në detaje të zbatimit të marrëveshjeve”.

Më tutje, në raport vlerësohet se situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e ndjeshme. Tensionet shpërthyen kur KFOR-i u përpoq ta largojë bllokadën e rrugës në komunën e Zveçanit.

Protestuesit lokalë dhunshëm u konfrontuan me KFOR-in, i cili u përgjigj me forcë. Rrjedhimisht, dy ushtarë të KFOR-it dhe pesë serbë të Kosovës morën plagë nga të shtënat.

Më 4 korrik, Komiteti i Krizës i strukturës komunale në Mitrovicën Veriore, i sponsorizuar nga Beogradi, protestoi kundër aksionit të KFOR-it dhe shpalli se anëtarët e EULEX-it nuk do të lejohen të lëvizin lirisht nëpër Mitrovicën Veriore.

Gjatë javëve në vazhdim, tensionet në mënyrë graduale u zvogëluan dhe EULEX-i ishte në gjendje ta rimarrë qasjen në këtë hapësirë dhe t’i kryejë aktivitetet e veta normale.

Në raportin e sekretarit Ban për Këshillin e Sigurimit thuhet se gjatë kësaj periudhe raportuese, autoritetet e Kosovës kanë vazhduar me përgatitjet, “të cilat ata i kanë përshkruar si përfundim i mbikëqyrjes së pavarësisë”.

Rrjedhimisht, kjo nënkupton mbylljen e Zyrës Ndërkombëtare Civile, e krijuar për ta mbikëqyrur implementimin e parimeve të Propozimit për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, të cilën autoritetet e Kosovës e kanë mbështetur.

Ato, po ashtu, kanë vazhduar me përgatitjet për miratimin e pakos së reformave juridike, që duket se nuk e prekin nivelin e mbrojtjes institucionale për komunitetet në Kosovë, me përjashtim të heqjes së propozimit të një neni në Kushtetutë, që u referohet refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Këto reforma, pritet ta heqin autoritetin ekzekutiv të organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Më 2 korrik, Grupi Ndërkombëtar Drejtues, i përbërë nga 25 vende që e kanë njohur Kosovën, kanë konkluduar se mandati i Zyrës Ndërkombëtare Civile do të përfundojë më vonë në vitin 2012, shkruan në raportin e sekretarit Ban që do të paraqitet të martën mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën.

Kthehu mbrapa

Shto koment