KBN: Bashkëpunimi me Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, është interes kombëtar

23.01.2016 (komentet: 0)

 

 Komiteti për Bashkëpunim Ndërkufitar (KBN) ka mbajtur të premten takimin e parë për këtë vit, ku kryesuesi Kushtrim Kadriu ka paraqitur planin e punës për periudhën janar-qershor 2016, ndërkaq Gentiana Shabani, koordinatore e Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (ZPMB), ka prezantuar aktivitetin e saj për javën e parë të punës. Një informatë për ecurinë e deritashme të projektit për bashkëpunim ndërkufitar Gjilan-Qair, që financohet nga Komisioni Evropian (KE), e ka dhënë koordinatorja Gëzime Idrizi.     

.

Gentiana Shabani, koordinatore e Zyrës për PMB, ka thënë se gjatë javës së parë të punës, ka zhvilluar disa takime me drejtues komunalë e politikë në Luginë si dhe me Divizionin për Azil dhe Emigracion në Kosovë, ku ka biseduar për problemet e shqiptarëve të zhvendosur nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të cilët prej 16 vitesh e këndej nuk po mund të pajisjen me dokumentacion personal dhe si pasojë e kësaj nuk po mund t`i realizojnë as disa të drejta elementare, siç janë shkollimi, punësimi dhe të tjera.

Shabani tha se krerët institucionalë dhe politikë në Preshevë i kanë premtuar bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse në Gjilan, ndërkaq në Divizionin për Azil dhe Migracion i kanë thënë se në qershor pritet ndryshimi i ligjit për të huaj.

Shabani tha se Zyra për PMB si dhe Lëvizja “Vatra” si subjekt që tubon shqiptarët nga Lugina e Preshevës, do ta japin kontributin e tyre në amendamentimin e ligjit për të huaj në Kosovë, duke kërkuar sa më shumë lehtësira për shqiptarët nga Kosova Lindore, sa i përket marrjes së shtetësisë.    

Ajo ka folur edhe për planet tjera, ndër të cilat janë edhe vizitat në Bujanoc e Medvegjë.  

Kushtrim Kadriu, kryesues i KBN, tha se ligji ekzistues është diskriminues për shqiptarët nga Lugina e Preshevës, sepse i barazon ata me kinezët dhe të tjerët.

“Shpresojmë që ky qershor të jetë i fundit dhe se shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci nuk do t`i kenë më këto probleme sa i përket dokumentacionit personal dhe shtetësisë”, ka thënë Kadriu.

Duke folur për bashkëpunimin me komunat e Luginës së Preshevës, Kadriu ka thënë se në Bujanoc rrezikon të humbet pushteti. Atje po krijohen shumë parti politike dhe madje po krijohen edhe parti serbe nga shqiptarët. “Tendenca jonë është që edhe për katër vitet e ardhshme, Bujanoci të mbetet në duar të shqiptarëve, ndërsa pas katër viteve tjera, shpresojmë që Lugina t`i bashkohet Kosovës dhe kjo të mos jetë më e nevojshme”, ka thënë Kadriu.

Gëzime Idrizi, koordinatore e projektit për bashkëpunim ndërkufitar Gjilan-Qair, ka thënë se programi “IPA 1”, që financohet nga Komisioni Evropian,  është në përfundim e sipër, por ajo shpreson se Gjilani e ka bërë punën si duhet dhe do të përzgjidhet edhe në “IPA 2”.

Idrizi ka theksuar se qëllimi kryesor i këtij projekti, është mbështetja e zejeve tradicionale, ku Gjilani ka traditë, por që viteve të fundit ka filluar të zbehet ky interesimi dhe shumë zeje janë shuar.

“Në fazën e parë ne kemi bërë identifikimin e zejeve, pastaj kemi vazhduar me trajnime bazike dhe të avancuara dhe tani jemi në fazën kryesore, atë të ndarjes së granteve, pasi aplikimi ka përfunduar dhe po bëhet vlerësimi i kërkesave. Brenda javës do të bëhet edhe përzgjedhja e përfituesve”, ka thënë Idrizi.

Po ashtu do të organizohet edhe një panair i përbashkët i dy komunave të përfshira në projektin e KE dhe Idrizi është optimiste që ky aktivitet do të mbahet në Gjilan

Kthehu mbrapa

Shto koment