Jorge Mario Bergoglio, Papa i ri

14.03.2013 (komentet: 0)

Jorge Mario Bergoglio, është Papa i ri. Ai është nga Argjentina, 76 vjeç. Në Vatikan ushtuan kambanat për Papën e sapozgjedhur, kreun e 1.2 miliard katolikëve të botës.

Kolegji i Kardinalëve prej 115 vetash votoi sot disa herë për zgjedhjen e atij që do të zëvendësojë Papën e ri, i cili do t'i zërë vendin Benediktit të 16. Muajin e kaluar, Benedikti tha se nuk kishte forcën fizike për të kryer detyrat e kishës.

Rezultati i votimit në Kapelën Sistine, nën muralet e famshme të Mikelanxhelos ishte i paparashikueshëm dhe detyra e kardinalëve ishte e vështirë.

Ata duhet të zgjidhnin një papë të aftë për të spastruar nga njëra anë burokracinë e korruptuar të Vatikanit dhe nga ana tjetër për të rigjallëruar katolicizmin, në një kohë kur laicizmi është në rritje.

Sytë e njerëzve ishin drejtuar sot gjatë gjithë ditës nga oxhaku mbi Kapelën Sistine në pritje të tymit të bardhë.

Për zgjedhjen e Benediktit në vitin 2005, u deshën katër votime. Kësaj here, u deshën vetëm tre.

Një kandidat duhet të marrë dy të tretat e votave, ose 77 për t'u zgjedhur në krye të Kishës Katolike.

Kush është Papa i ri Françesku i Parë?

Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio, një intelektual i cili modernizoi atë që konsiderohej si një nga degët më konservatore të kishës katolike në Amerikën Latine, do të pasojë Papa Benediktin XVI. Ai do të quhet Papa Françesku i Parë.

Bergoglio është Papa i parë jezuit. Ai është 76 vjeç dhe thuhet se ka marrë numrin e dytë më të madh të votave pas Joseph Ratzinger në zgjedhjen e papës në vitit 2005.

Fillimisht me profesion kimist, kardinali Bergoglio ka dhënë mësime në letërsi, psikologji, filozofi dhe teologji para se të merrte detyrën si kryepeshkop i Buenos Airesit në vitin 1998.

Brenda vetëm gjashtë vjetëve, nga prift i një manastiri të vogël në një provincë, ai u bë kryepeshkop i Buenos Airesit dhe më pas Kardinal kryesor i Argjentinës. Karriera e tij ka qenë mahnitëse, thonë analistët. /VoA/

Hoxhaj: Emërimi i Papës së ri, lajm i gëzuar për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një bisede telefonike që ka zhvilluar me delegatin apostolik të Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, e ka uruar atë për përzgjedhjen e kardinalit Jorge Mario Bergoglio, për Papë të ri të Selisë së Shenjtë, i cili do të njihet si Papa Francis.

Hoxhaj ka thënë se ky është një lajm shumë i gëzuar për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe besimtarët katolikë në të gjithë botën.

Ai ka shprehur mirënjohjen dhe konsideratat e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për përkrahjen tradicionale që ka dhënë Vatikani për Kosovën si dhe për lidhjet e fuqishme shpirtërore, politike dhe kulturore ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kosovës.

Kthehu mbrapa

Shto koment