Joe Biden në Beograd, ja rezultati: në shtator një supersamit shqiptaro-serb nën patronazh amerikan

16.08.2016 (komentet: 0)

Zv.presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë vizitës në Serbi ka arritur që të mundësojë organizimin në shtator të një samiti më të madh mes shqiptarëve dhe serbëve në Beograd, ku përveç kryeministrit Edi Rama do të jenë prezent edhe liderët e Kosovës.

 

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri serb, AleksandërVuçiq pas takimit me Biden, ku tha se “Edi Rama do të jetë në Beograd në shtator, e bashkë me të edhe liderë të shqiptarëve të Kosovës”.

Siç bën të ditur B92, Vuçiq nuk e tha se kush do të jetë prezent nga Kosova, por sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për kryeministrin Mustafa apo edhe presidentin Thaçi.

Vuçiq foli për “disa liderë” të Kosovës. Ai deklaroi se një nga temat e bisedimeve kanë qenë pikërisht çështja e përmirësimit të raporteve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Samiti i shtatorit në Beograd pritet të jetë pikënisja e një marrëdhënie të re ku Shqipëria dhe Kosova do të tentojnë të mbyllin përfundimisht problemet me Beogradin.

Ndërkaq, Joe Biden ka ngushëlluar familjet e viktimave që kanë shkaktuar bombardimet e NATO-s në Serbi dhe ka bërë të ditur se gjeneratat e reja tashmë e kanë kuptuar se që nga viti 2009 marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë po ecin përpara.

“Mua më pëlqen shumë dhe bëj tifo për skuadrën tuaj të vaterpolos në Olimpiadë”, tha Biden duke u bërë qejfin serbëve.

79546717357b3504063535809087238_v4_big

Ndërkohë që radikalët e Sheshelit bënë protestë kundër Biden, Vuçiq dhe zv.presidenti amerikan bënë shëtitje në rrugën “Shkodra” të Beogradit.

“Shtetet e Bashkuara dhe Serbia, natyrisht, nuk bien dakord për çdo çështje, ka shumë shenja dhe plagë që nga vitet nëntëdhjetë, por shpresoj se koha do të shërojë plagët, sidomos me ndihmën e gjeneratë së  re, që do të sjellë më shumë paqe dhe zhvillim të madh ekonomik për të gjithë rajonin”, tha Biden.

Ndërkaq, Sheshel me nja 100 mbështetës dolën në sheshin qëndror të Beogradit me bluza ku kishin stampuar fotot e Donald Trump-it.

“Votoni për Trump, ai do të punojë për të ardhmen e Serbisë dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, tha Vojislav Sheshel.

Kthehu mbrapa

Shto koment