Jahjaga viziton studentet e plagosura në Himarë

25.05.2012 (komentet: 0)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, vizitoi të premten pasdite studentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, të cilat, pas lëndimit në aksidentin rrugor të autobusit në Qafën e Vishës, në Himarë më datë 21 maj, po kurohen në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Pasi u interesuan nga afër për gjendjen shëndetësore dhe përkujdesjen mjekësore që po u rezervohet studenteve të shtruara në “Repartin e Kirurgjisë”, Jahjaga u prononcuan në prani të përfaqësuesve të mediave të shumta të pranishme.

“Shpreh ngushëllimet më të thella të popullit të Republikës së Kosovës, të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mbarë popullit të Kosovës dhe të miat, për familjarët e viktimave, për mbarë popullin e Shqipërisë dhe për ju, Presidenti Topi, për një ngjarje kaq të rëndë! Tash ndiejmë një dhimbje të madhe për këtë tragjedi kaq të rëndë dhe jemi me familjarët, jemi me të afërmit e tyre, me kurajon që të gjejnë forcën, që të gjejnë ngushëllimin, por duke mos harruar asnjëherë kujtimin e përjetshëm të të dashurve të tyre, për rininë e tyre dhe për ëndrrat e tyre”, tha Jahjaga.

Presidenti Topi nga ana e tij falënderoi presidenten për vizitën në Spitalin Ushtarak të Tiranës. “Unë e falënderoj nga zemra presidenten Jahjaga, por edhe të gjitha autoritetet e shtetit të Kosovës për demonstrimin e asaj ndjeshmërie të lartë qysh nga momenti kur u mor vesh tragjedia! E falënderoj shumë edhe për vizitën e saj, që e realizuam së bashku në Spital”, tha Topi.

Në aksidentin që ndodhi në afërsi të Himares, të hënën e kaluar, kur një autobus ra në humnerë të thellë 100 metra, vdiqën 13 persona, prej tyre 12 studentë, shumica vajza, të Universitetit të Elbasanit. 

Kthehu mbrapa

Shto koment