Ish kryetari i Jugosllavisë dhe Sllovenisë – Dërnovshek me prejardhje shqiptare nga Tetova ?

19.11.2012 (komentet: 0)

Sipas një versioni që qarkullon në fshatrat e Tetovës, Dërnovshek është i biri i Kadri Rakipit nga fshati Pirok, nga lidhja jashtëmartesore që ai ka pasur me sllovenen Silva, shkruan sot gazeta Utrinski Vesnik ndërsa transmeton “Almakos”.

 

Ish presidenti i Jugosllavisë (RSFJ-së) dhe i Sllovenisë Janez Dërnovshek ka qenë shqiptar me prejardhje nga Tetova. Ky informacion sensacional është mjaft i përhapur në mesin e mërgimtarëve shqiptarë nga Tetova dhe Pollogu, që jetojnë dhe punojnë në Sllovei dhe Kroaci.

Sipas një versioni që qarkullon në fshatrat e Tetovës, Dërnovshek është i biri i Kadri Rakipit nga fshati Pirok, nga lidhja jashtëmartesore që ai ka pasur me sllovenen Silva. Sipas këtij versioni, e ëma e Dërnoveshekut ka punuar si pastruese në ndërmarrjen e Rakipit, i cili dekada të tëra ka jetuar në Slloveni, ku ka pasur edhe biznesin e vet. Ajo është dashuruar te tetovari dhe si rezultat i lidhjes së tyre ka lindur djalin i cili më vonë u bë president i Jugosllavisë dhe i Sllovenisë. Rakipi gjoja nuk ka mundur të martohet me Silvën dhe të pranojë Janezin si birin e vet, pasi më parë ka qenë i martuar me një shqiptare në fshatin e tij.

“Gjatë fushatave parazgjedhore kundërshtarët e tij gjithmonë e kanë akuzuar se është shqiptar. Ne shqiptarët gjithmonë votonim për të, por jo vetëm pse flitej se është shqiptar por edhe pse ishte politikan i mirë. E njihnim prej kohës së Jugosllavisë. Ishte njeri i mirë”, thotë një banor i Pirokut i cili është mërgimtar në Portorozh të Sllovenisë.

Përndryshe i ati i Kadri Rakipit ka migruar në Slloveni në fillim të shekullit 20. Atje ka hapur një ëmbëltore, të cilën në vitet e 20-ta e ka trashëguar Kadriu.

Për lidhjet e tij me Slloveninë dëshmon edhe fakti se në gurin mbi varrin e tij përveç “Këtu pushon Kadri Rakipi”, qëndron edhe mbishkrimi në gjuhën sllovene, “Tudi poçiva Kadri Rakipi”.

Kadri Rakipi në fshatin e tij të lindjes ka pasur tre djem – Zulfiqarin, Ejupin dhe Mexhitin. Ata shumë pak e kanë njohur të atin e tyre. Edhe Mexhiti, i cili tani është haxhi rreth viteve të tetëdhjeta, me dekada të tëra ka jetuar në Medulin të Kroacisë, ku posedon një ëmbëltore të cilën tani e menaxhojnë djemtë e tij. Lidhur me informatat se është gjysmëvëlla i ish presidentit Dënovshek, ai thotë:

“Këtë muhabet e dëgjoj gjatë tërë jetës, por nuk mundem të them se është i saktë. Asnjëherë nuk e kam pyetur babin tim, e as ai nuk më ka përmendur diçka rreth kësaj”, thotë Mexhiti, djali i Kadri Rakipit.

Zyrtarisht Janez Dërnovshek ka qenë biri i Viktor dhe Silva Dërnovshekut. Bashkëpunëtorët e ish presidentit slloven thonë se nuk ka asgjë të vërtetë në informacionin se Janez ka qenë shqiptar.

“Janez është bir i një shqiptari nga Maqedonia? Ju lutem, këto janë budallallëqe për të cilat nuk vlen as të bisedohet”, ka thënë Borut Shukle, një nga bashkëpunëtorët e afërt të Dërnovshekut.

Janez Dërnovshek ka qenë mjaft i popullarizuar te shqiptarët e Maqedonisë, sepse ishte pjesë e gjeneratës së parë të politikanëve slloven që kundërshtuan ashpër politikën hegjemoniste serbe në kuadër të ish Jugosllavisë.

Almakos

 

 

Kthehu mbrapa

Shto koment