1244 nuk garanton Stabilizim-Asocimin
24.02.2012 (komentet: 0)
Deklaratat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës, se kompromisi që Kosova në nismat rajonale të prezantohet me Rezolutën 1244 do të “shpërblehet” nga BE me Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit (MSA), është hedhur poshtë të enjten nga zyrtarë të BE-së.
Burime të “Zërit” në Bruksel kanë thënë se Bashkimi Evropian, në asnjë mënyrë nuk i ka garantuar Kosovës MSA-në, si kusht që ajo në forumet e ndryshme rajonale të prezantohet me fusnotë dhe me rezolutën. Sipas tyre, Kosova Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit mund ta arrijë vetëm nëse i përmbush kriteret.
“Është e vërtetë që kur të vijë puna për një marrëveshje të tillë, mund të vijë deri te një kompromis me këto pesë vende që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës. Por, kjo do të ndodhë atëherë kur Kosova të përmbushë kriteret e kërkuara nga BE”, thonë këto burime.
Sipas ministres së Integrimit, Kosova ka marrë premtimin që pesë vendet anëtare të BE-së, që akoma nuk e kanë njohur Kosovën, nuk do të paraqesin problem në këtë drejtim.
Shto koment