Haziri në New York takime me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të OKB-së

25.07.2015 (komentet: 0)

 

Pas Washington, DC, kryetar i Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh nënkryetar i LDK-së po qëndron në New York City.  

 

Ai dje ka takuar përfaqësues të biznesit nga komuniteti shqiptaro-amerikan, kurse sot ka patur një takim në selinë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “Vatra” ku është pritur përfaqësues të saj, z. Bushati, z. Balaj, dhe z. Greca.

Tek “Vatra”, Haziri me bashkëpunëtorë, është njoftuar me aktivitetin kombëtar të kësaj organizata që nga themelimi në fillim shekullin e 20-të e deri më tani.

Haziri ka falënderuar bashkëkombësit për punën e tyre të madhe për kauzën kombëtare dhe ka biseduar me ta për mundësitë e bashkëpunimit për vazhdim të kësaj pune në të mirë të çështjes kombëtare e veçanërisht asaj në Kosovën Lindore.

“Mbetet obligim yni moral dhe kombëtar që të punojmë me dinjitet për të arritur qëllimet e Nolit, Konicës dhe atdhetarëve tjerë që shënuan epoken e tyre me angazhim të parezervë në fushën kombëtare”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq përfaqësuesi i “Vatrës” tha se “SHBA-të kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një mik i madh e i sinqertë i Kosovës dhe për ketë rol të jashtëzakonshëm ka dhënë diaspora jonë këtu”.

Kryetari Haziri ka bërë një vizitë të shkurtër edhe tek Konsullata e Përgjithëshme e Kosovës në New York, ku është pritur nga konsulli Ylber Kryeziu, në mungesë të konsullës së përgjithëshme Vlora Çitaku, e cila gjendet në pushime këto ditë.

Pasdite, Haziri ka patur takim edhe me një zyrtar të lartë të OKB-së me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

 

Kthehu mbrapa

Shto koment