Gruaja, që gënjeu se e rrëmbyen një grup shqiptarësh, rrezikon një vit burg

17.08.2013 (komentet: 0)

Në orët e para të mëngjezit të 17 qershorit, policia lokale në Beverly të Massachusetts, u vu në alarm kur 24 vjeçarja Maria Brayfield u telefonoi dhe u tha se kishte qenë viktimë e një rrëmbimi. Sipas saj, dy burra e kishin rrëmbyer nga apartamenti i saj në Beverly dhe e kishin detyruar që me makinën e saj të dile në autostradën Route 128, ku e detyruan të ndalonte në daljen “exit 17” në Wenham. Aty e detyruan të ngjitej në trankun e automjetit të saj “Ford Focus”.

 

Ata nuk i bënë gjë tjetër dhe Maria u tha policëve se e kishin shpëtuar dy njerëz të tjerë të cilët e kishin parë automjetin e saj ndanë udhës dhe kishin kujtuar se kishte pësuar aksident.
Ata e kishin dëgjuar që bërtiste për ndihmë, duke u thënë: “Ndihmë! Ishin shqiptarë!” Ata e dalluan në pjesën e pasme të makinës dhe e nxorrën që aty pasi kishin thyer xhamin e saj.
Po pse kishin shkuar “shqiptarët” pikërisht në apartamentin e saj? Sipas Marias, jo rastësisht. Ajo kishte qenë me disa miq në “Black Lobster” një restorant-bar në qytetin Salem. Kur kishte shkuar në banjon e lokalit, ajo tha se i ishin afruar një grup shqiptarësh që i kishin ofruar pije dhe i kishin thënë që të punonte për ta. Madje i kishin ofruar që ta çonin në shtëpi me makinë por ajo kishte refuzuar.
Kur kishte mbërritur në orën 3 të mëngjezit në shtëpi, kishte parë një makinë SUV përpara ndërtesës dhe e kishite kuptuar që në shtëpi i kishin hyrë njerëz. Mirëpo, në atë moment e kishin kapur dhe rrëmbyer.
Policia shpalli kërkimin e dy shqiptarëve sipas përshkrimit të dhënë nga vjaza e tmerruar, mirëpo dedektivët e thirrur filluan të dyshojnë për historinë e saj. Pse nuk ia kishin marrë celularin rrëmbyesit? Pse nuk e kishte telefonuar menjëherë policinë ajo por kishte folur me një shokun e saj për një kohë, sipas të dhënave të kompanisë telefonike?
Fqinjët nuk duket se kishin vënë re ndonjë gjë të dyshimtë, madje as shoqaj e saj e dhomës. Çfarë rrëmbimi kishte qenë ai?
Në fund vetë Maria kishte pranuar duke qarë se e kishte shpikur vetë të gjithë historinë sepse kishte qenë e dehur dhe kishte pasur frikë se mos e kapte policia duke udhëtuar me makinën e saj e dehur.
Pas kësaj, policia kishte ndërprerë operacionin për kërkimin e dy shqiptarëve të shpikur dhe kishte vendosur të padisë në gjyq vajzën për alarm të rremë ndaj policisë që mund të të çojë deri në një vit burg.
Çështja që duhej të fillonte sot u anullua, pasi avokati i vajzës arriti të provonte se vajza nuk ishte njohur zyrtarisht me akuzën, e cila tani duhet ta nisë procedurën nga e para.
Çështja vazhdon të mbetet disi mister për policinë. Në momentin që arriti në shtëpi, vajza praktikisht i kishte bërë bisht kapjes nga policia duke udhëtuar e dehur në rrugë. Atëhere pse doli përsëri dhe sajoi të gjithë këtë histori. Duket sikur donte jo që t’I fshihej por që ta gjente policia në atë gjendje.
E gjithë kjo mund të sqarohet ndoshta gjatë procesit të gjyqit, nëse policia vendos ta fillojë edhe një herë procedurën për të shmangur precedente të tilla që i shpenzojnë kohë e energji dhe rrezikojnë fatin e atyre që vërtet bëhen viktima rrëmbimesh e dhune. (Përgatiti: VP/Illyria)

Kthehu mbrapa

Shto koment